26.11.2019

Falë një projekti të UNDP-së mbi indikatorët financiarë të njësive të vetëqeverisjes lokale në RMV, publiku i gjerë ka mundësinë të njoftohet në mënyrën më transparente mbi të ardhurat dhe shpenzimet e komunave, të paktën të atyre të cilat i bëjnë publike këto të dhëna.

Nga Sektori për financa dhe buxhet pranë Komunës së Gostivarit, njoftojnë se duke bërë prerjen e të dhënave për të gjitha komunat të futura në ueb faqen e këtij projekti, kanë ardhur në konstatim se përqindje rekorde të realizimit të të ardhurave kapitale për kuartalin e tretë, respektivisht për periudhën janar- shtator të vitit 2019, shënon Komuna e Gostivarit, edhe atë në lartësinë 98.4%.

“Në kuartalin e tretë kemi realizuar 34.227.727 denarë, ndërsa për tu realizuar kanë mbetur 572,273 denarë. Kjo nënkupton se krahasuar me të planifikuarën, realizimi për këtë periudhë të vitit është 98.4%, duke shënuar kështu rezultatin më të mire krahasuar me të gjitha komunat tjera të Maqedonisë së Veriut. Nga tabela të cilën e përgatitëm për krahasim, mund të shihet se komuna mjaft të zhvilluara si ajo e Velesit, Ohrit dhe Strumicës kanë përqindje mjaft të ulët krahasim me ne, ndërsa kemi komuna si ajo e Çairit që ka realizim prej vetën 25%, por edhe të tilla si Kumanova dhe Struga të cilat shmangin publikimin e të dhënave nga sfera e financave” – thotë Gazmend Ismaili nga Sektori i financave pranë Komunës së Gostivarit.

Nga ky sektor njoftojnë se kjo vjen si rezultat i planifikimit të mirë të buxhetit dhe efikasitetit të administratës komunale, respektivisht kryetari Arben Taravari si propozues kërkon nga shërbimet buxhet të realizueshëm e jo vistër dëshirash, ndërsa Sektori i financave e harton atë në mënyrë shumë profesionale.

Linku dhe tabela: http://indikatori.opstinskisoveti.mk

Shërbimi për informim

/