26.02.2017

Nën mbikëqyrjen e Komunës së Gostivarit dhe në koordinim me operatorin ekonomik për mirëmbajtje të rrugëve dhe me dy ndërmarrjet publike “Komunalec” dhe “Parkingjet publike dhe gjelbërimet”, punohet intensivisht për pastrimin nga bora të rrugëve, trotuareve dhe sipërfaqeve të tjera publike.

Gjatë natës është punuar vazhdimisht në terren dhe është arritur që të gjitha rrugët lokale dhe unazat  e qytetit të jenë të kalueshme, ndërsa sipas nevojës është hedhur edhe kripë nëpër rrugë.

Prej në mëngjes, pastrohen edhe rrugët dytësore, ndërsa ekipet e dy ndërmarrjeve komunale janë duke pastruar trotuaret dhe sipërfaqet e tjera publike.

Shërbimi për mirëmbajtje dimërore pranë Komunës së Gostivarit, situatën do ta ndjekë 24 orë në ditë.

Rikujtojmë afaristët se e kanë obligim ligjor që t’i pastrojnë sipërfaqet përpara lokaleve të tyre, ndërsa apelojmë deri tek qytetarët që mos i parkojnë automjetet e tyre në mënyrë jo të drejtë dhe të mos pamundësojnë pastrimin efikas të rrugëve.

Shërbimi për informim