03.12.2019

Me rastin e Ditës ndërkombëtare të personave me aftësi të Kufizuara – 3 Dhjetori, kryetari i komunës së Gostivarit shtroi drekë për fëmijët nga Qendra ditore dhe nxënësit nga paralelet speciale të shkollave fillore “Ismail Qemali” dhe “Mustafa Kemal Ataturk”. 

Me këtë rast Taravari theksoi se duhet akoma punë nga e gjithë shoqëria që integrimi i këtyre personave në qytetin tonë të marrë formën e merituar. Ai shprehu bindjen se vitin tjetër kjo ditë do të shënohet në Qendrën e re që do ta hapë Komuna e Gostivarit për këta persona dhe për fëmijët me autizëm, me lokacion në ish kolegjin privat “Jahja Kemal”.

“Ky është viti i tretë që në vazhdimësi e festojmë Ditën e personave me nevoja speciale në Gostivar. Ne si Komunë jemi munduar me të gjitha grupet e personave të shoqërisë sonë që kanë nevojat ndryshe, të kemi ndonjë organizim, të jemi pranë tyre dhe t’u mundësojmë kushte më të mira. Shpresojmë ky të jetë viti i fundit që festojmë në ndonjë restorant, dhe vitin e ardhshëm urojmë të jemi në qendrën për fëmijë me nevoja të veçanta dhe aty në kushte më të përshtatshme së bashku me këta fëmijë ta ndajmë dashurinë ndërmjet nesh”, tha kryetari Arben Taravari.

Ndërkaq përgjegjësja çështje sociale pranë Komunës së Gostivarit – Afërdita Hamza, tha se sivjet nuk ka paraparë ndonjë organizim më madhështor sikurse vitet e kaluara, për shkak të viktimave nga tërmeti në Shqipëri.

Një shenjë falënderimi për aktivitetin e organizuar, fëmijët e pranishëm, kryetarit Taravari i dhuruan një pikturë dhe kartolina të përgatitura nga vetë ata. 

Shërbimi për informim