21.05.2018

Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari dhe kryetari i komunës Sveta Nedelja të Kroacisë, Dario Zurovec nënshkruan të shtunën Kartën për Miqësi dhe Bashkëpunim ndërmjet dy komunave, me çka edhe zyrtarisht këta dy qytete u binjakëzuan.

Nënshkrimi i Kartës për miqësi dhe bashkëpunim, u bë në kuadër të seancës solemne të Këshillit të Komunës Sveta Nedelja me rastin e Ditës së Qytetit.

Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari iu drejtua të pranishmëve dhe shprehu nderin e veçantë që Komuna e Gostivarit u bë partnere me Komunën Sveta Nedelja.

“Komuna Sveta Nedelja është një shembull i përkryer se si funksionimi i administratës komunale dhe bashkëpunimi me sektorin e biznesit, mund të krijojnë klimë për punë dhe jetë. Me binjakëzimin e dy komunave tona, jam i bindur se do të përfitojmë shumë nga përvojat e njëri tjetrit”, theksoi kryetari Taravari.

Ndërkaq kryetari i komunës Sveta Nedelja, Dari Zurovec nënvizoi se themelet e këtij bashkëpunimi janë realizuar falë konsulles së nderit të Republikës së Kroacisë në Shkup, znj, Vita Huzjan.

Binjakëzimi i dy komunave ka për qëllim krijimin e marrëdhënieve miqësore, kulturore, shoqërore dhe sipërmarrëse, si dhe përmirësimin e zhvillimit të bashkëpunimit ndërshtetëror të komuniteteve lokale në emër të demokracisë dhe unitetit.

Paraprakisht, në seancën e fundit të Këshillit të Komunës së Gostivarit, këshilltarët komunalë njëzëri sollën vendim për binjakëzimin e Komunës së Gostivarit me Komunën Sveta Nedelja.

Shërbimi për informim