KOMUNIKATË

29.08.2018

Komuna e Gostivarit, e ndjen për obligim që opinionit publik, e sidomos nxënësve, prindërve të tyre dhe punonjësve të arsimit, t’ua sqarojë dhe argumentojë se të gjitha obligimet ndaj shkollave fillore dhe të mesme i kryen në kohë dhe me përgjegjësi të plotë.

Komunës së Gostivarit i lëshohen mjete nga pushteti qendror në formë të bllok dotacioneve, të cilat për vitin 2018 janë të planifikuara në lartësi prej 600.266.000 denarë, të dedikuara për shkollat fillore dhe të mesme, çerdhet dhe Njësinë e zjarrfikësve.

Përfundimisht me ditën e sotme, nga të planifikuarat 385.187.374 denarë, janë realizuar 383.263.721 denarë, ose e shprehur në përqindje 99.50%, ndërsa 0.5% janë në realizim e sipër.

Krahas bllok dotacioneve, subjekteve të lartpërmendura, Komuna e Gostivarit u transferon edhe mjete nga buxheti bazë, si vullnet i mirë i kryetarit të komunës dhe që është praktikë e rrallë në Maqedoni. Konkretisht, sa i përket sferës së arsimit, Komuna shkollave dhe çerdhes u ka transferuar deri më tani mbi 9.000.000 denarë, respektivisht rreth 150.000 euro nga buxheti i saj bazë.

Nga e gjithë kjo që u sqarua më lartë, lehtë nënkuptohet se përveç asaj që Komuna e Gostivarit shkollave ua transferon bllok dotacionet si mjete të kushtëzuar dhe që s’mund të përdoren për asnjë dedikim tjetër, ajo nga buxheti i vet bazë ndan edhe mjete shtesë për mbështetje të shkollave fillore dhe të mesme, e gjithë kjo me qëllim të mbarëvajtjes së procesit arsimor, si një nga sferat për të cilat kryetari Taravari është zotuar se do t’i kushtojë rëndësi të veçantë dhe me të gjitha mjetet do të luftojë që arsimi të depolitizohet dhe departizohet.

Përsërisim edhe një herë se të gjitha akuzat e drejtuara deri te kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari nga ana e drejtorëve të dhunshëm të shkollave (ushtarë partiakë të BDI-së), janë të motivuara politikisht dhe të porositura nga personi i cili akoma nuk mund të pajtohet me faktin se i humbi zgjedhjet e fundit lokale edhe krahas angazhimit në favor të tij të komplet aparatit shtetëror dhe policor të Republikës së Maqedonisë.

Shërbimi për informim