31.01.2018

Gjatë vizitës së kryetarit Arben Taravari në fshatin Forinë, të realizuar paradokohe, banorët e kësaj ane shprehën shqetësimin e tyre në lidhje me rrugën Çajlë-Forinë, ku degët e drunjve përskaj rrugës pengojnë qarkullimin e lirë të automjeteve.

Me urdhër të kryetarit Taravari, Ndërmarrja publike “Parkingje publike dhe gjelbërime” është duke realizuar krasitjen e drunjve në gjithë gjatësinë e rrugës.

“Në këtë segment të rrugës rajonale, që njëherit është edhe më i ngushtë, degët e drunjve përskaj rrugës, zvogëlojnë dukshmërinë, e sidomos vështirësojnë qarkullimin e automjeteve të kategorive më të mëdha, me çka rrezikohet edhe siguria në trafikun rrugor. Me kërkesë të banorëve të kësaj ane dhe me urdhër të kryetarit Arben Taravari, e ndërmorëm këtë aksion dhe i njëjti është para përfundimit”, theksoi drejtori i ndërmarrjes, Muzafer Zulbeari.

Vlen të theksohet se rruga Çajlë-Forinë është segment i rrugës rajonale Gostivar-Çegran-Tetovë që është në kompetencë të NP “Rrugët e Maqedonisë”. Por, për shkak të neglizhencës së kësaj ndërmarrjeje, Komuna e Gostivarit, me qëllim që të mos pësojnë qytetarët, është e detyruar që të bëjë intervenime të caktuara me mjete vetanake.

Shërbimi për informim