Kryetari Arben Taravari dha llogari për vitin e parë të menaxhimit me Komunën e Gostivarit

01.11.2018
Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari, në sallën e këshillit komunal, para qytetarëve të Gostivarit dha llogari për punët dhe aktivitetet e realizuara në vitin e parë të mandatit.
Fjalimin e tij po jua përcjellim në mënyrë integrale:

“Të nderuar qytetarë të Gostivarit,
Kur e fitova besimin e qytetarëve për të udhëhequr me komunën e Gostivarit, nuk e besoja se do të kem kaq shumë probleme nga ata të cilët siç e shohim assesi nuk duan të pajtohen me faktin që i kanë humbur zgjedhjet, por nga ana tjetër nuk besoja se do të arrij këtë sukses falë vullnetit të mirë të njerëzve të cilët ia duan të mirën këtij qyteti.
Nuk besoja se deri kaq shumë do të më faktorizojnë individë dhe qarqe të caktuara, sa që për të më penguar mua, janë të gatshëm ta marrin në qafë një qytet të tërë, por fatmirësisht nuk munden.

Shpesh më përgëzojnë bashkëpunëtorët, qytetarët dhe shumë nga ata me të cilët kam kontakt, për qasjen pozitive në menaxhim dhe për dorën e shtrirë për bashkëpunim me cilindo person apo subjekt, pavarësisht përkatësive apo bindjeve të ndryshme. Më thonë madje se aty qëndron sekreti i suksesit tim. Nëse jam i suksesshëm unë personalisht apo jo, nuk e di por, e di që Komuna e Gostivarit brenda një viti ka shënuar rezultate evidente dhe se për këtë ia kanë lakmi edhe komunat shumë më të zhvilluara, me buxhet shumë më të madh dhe me mbështetje shumë të fuqishme të pushtetit qendror. Unë këtë sukses ia përshkruaj bashkëpunëtorëve të mi, administratës komunale dhe qytetarëve në përgjithësi.

Kur jemi te bashkëpunëtorët e mi, duhet cekur se shkaku i shkurtimit të buxhetit, jam duke punuar me një ekip të vogël, edhe atë që u pajtuan nëse ka nevojë të punojnë edhe pa asnjë kompensim, vetëm e vetëm që procesin e nisur për të vënë komunën në binarë të mbarë, ta ecim përpara së bashku.

Të nderuar qytetarë,
Nëse fillojmë të numërojmë sukseset që kemi arritur brenda këtij viti, do të na duhet shumë kohë. Një pjesë të punëve dhe aktiviteteve jemi përpjekur t’i përmbledhim në një prezantim në Power point, që do ta shpalosim më pas. Shumica prej jush jeni të njoftuar me to, sepse për aktivitetet dhe projektet e realizuara kemi informuar vazhdimisht përmes mediave, ueb faqes së komunës dhe rrjeteve sociale. Oponentët politikë na kanë kritikuar shpeshherë se kinse reklamohemi pak si tepër, me pretekstin se i bëjmë publike ca gjëra që sipas tyre janë pak të rëndësishme. Por ne këtë e bëjmë për hir të transparencës dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë edhe më tutje. Na akuzojnë se informojmë për aktivitete dhe projekte siç thonë ata, të huaja, që realizohen në Komunën tonë, por ne do të vazhdojmë t’ju njoftojmë dhe t’i gëzohemi çdo suksesi dhe çdo të mire që ndodh në komunë, edhe kur mbështetja materiale e komunës është simbolike.
Do të ndalem pak në ato gjëra të cilat nuk i kemi përfshirë në prezantimin dhe do të filloja me faktin që shumë shpejtë pas marrjes së besimit, i relaksuam marrëdhëniet ndërnjerëzore në administratën komunale por edhe në qytet në përgjithësi. Arritëm për një periudhë të shkurtër kryesisht ta depolitizojmë arsimin, por na u morën kompetencat nga pushteti qendror, të cilat më 21 të këtij muaji na kthehen sërish dhe do ta vazhdojmë edhe atë proces.

Një nga sektorët më të suksesshëm në Komunë, falë angazhimit të udhëheqëses dhe ekipit të saj, e të cilit sektor edhe unë si kryetar i kam kushtuar shumë rëndësi, është Sektori i veprimtarive publike. Për arsimin e theksova edhe më parë, ndërsa tani do të shtoja kulturën, rininë, sportin, rekreacionin, mbrojtjen sociale, përmirësimin e cilësisë së jetës të grupeve të margjinalizuara dhe personave në nevojë. Këto sfera janë ndoshta ato të cilat më pak komentohen për punën e komunave, por pikërisht ato janë tejet të rëndësishme për qytetarët.
Në sferën e urbanizimit, mundemi të lavdërohemi se kemi arritur që, mos themi të çrrënjosim abuzimet, por të paktën t’i reduktojmë në minimum ato. Ndërtimet e egra janë minimizuar, sa falë punës së inspektorëve, aq më shumë nga vetë fakti që askush askënd nuk inkurajon të ndërtojë pa leje apo t’i garantojë se s’ka kush i bën gjë, praktikë kjo shumë prezente në mandatin e shkuar. Do’t ndalem shkurt edhe në disa të dhëna në sferën urbanizimit:

Janë legalizuar 954 objekte të paligjshëm – janë përpunuar 25 PAU (Projekte arkitektonike urbanistike) prej të cilave 14 të kryera dhe 11 në procedure, Proejkte infrastrukturore 11, DLPU (Dokumentacione planore lokale urbanistike) 3 të kryera dhe 2 në procedurë, PDU (Plane detaje urbanistike) 16 janë në procedurë prej të cilave disa janë afër fazës përfundimtare dhe 2 janë të miratuar, sepse Ministrive përkatëse nuk u pëlqen të lëshojnë leje dhe pëlqime, jo vetëm për urbanizëm, por edhe për çerdhe fëmijësh nëpër fshatrat e Gostivarit. Leje ndërtimi gjithsej janë lëshuar 99 leje ndërtimi, prej të cilave 9 për banesa kolektive. Tjetërsimet të tokës ndërtimore 11 të kryera dhe 12 në procedurë.

Të nderuar qytetarë,
Buxheti i komunës së Gostivarit deri në fund të vitit do të ketë një realizim prej mbi 80%, edhe atë pa asnjë rebalanc, ndryshim, plotësim apo shkurtim të buxhetit, që dëshmon për një planifikim real, shumë më të mirë se në vitet e shkuara dhe në këtë drejtim jemi pa konkurrencë në Maqedoni. Për dallim prej qeverisë apo komunave tjera të cilat bëjnë nga disa rebalance në vit dhe realizimi i buxhetit mezi kalon mbi 50%.
Falë angazhim të administratës komunale dhe rritjes së besimit të qytetarëve tek menaxhmenti i ri i komunës, shënojmë rritje të dukshme të të hyrave buxhetore nga taksat komunale, në nivel prej rreth 10 për qind.
Diçka do të doja në veçanti ta ceki. Ky vit i menaxhimit, shpresoj dhe jam i bindur se i gjithë mandati ashtu do të kalojë, dëshmon se nëse nuk ka abuzime, favorizime dhe hile, ndonëse jemi një komunë mesatarisht e zhvilluar në një shtet tejet të varfër, mund të realizohen shumë punë dhe mund të shënohet përparim evident në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.
Për në fund, të përgjithësoj – brenda një viti kemi bërë investime ndërmjet 2 dhe 3 milion eurove, dhe këtë temp me siguri do ta vazhdojmë edhe në 3 vitet tjera të mandatit, me çka investimet do të sillen të paktën rreth 10 milion euro.

Thonë të gjithë kryetarët e komunave investojnë në fund të mandatit, ndërsa Taravari investon në fillim të mandatit. Ju siguroj, qytetarë të nderuar, se ritmi i investimeve do të jetë ekuivalent për çdo vit, por që nuk do të thotë se nëse si rrjedhojë e punës së ndershme, përkushtimit dhe angazhimit, për çdo vit të kemi rritje të investimeve nga buxheti vetanak, e sidomos nga fonde ndërkombëtare, e pse jo edhe nga niveli shtetëror – mbase situata ndoshta do të ndryshojë në politikat shtetërore. Uroj që rezultatet e këtij viti të parë të mandatit, shumë shpejtë të harrohen dhe të bie nën hijen e rezultateve të cilat do t’i shënojmë bashkërisht në vitet në vazhdim.
Gostivari nuk ishte një premtim elektoral, Gostivari është Shtëpia jonë, është Familja jonë, është Krenaria dhe Detyrimi jonë.
Të gjithë si ekip jemi të lumtur që mund të punojmë për qytetin që duam më shumë në botë. Asgjë nuk na ndal.
Gostivari meriton më shumë!

Gostivari i Pari!
Ju faleminderit!”
Më shumë detaje për investimet dhe aktivitetet e tija, bashkëpunëtorëve të tij dhe administratës komunale, kryetari Taravari shpalosi përmes një prezantimi në Power point, ndërsa në fund të ngjarjes, prezantua një reportazh i shkurtër i TV Globi dhe anketa e realizuar nga TV 2 me qytetarët e Gostivarit.

Shërbimi për informim