Kryetari Arben Taravari priti ambasadorin amerikan Xhes Bejli

12.09.2018

Kryetari i komunës së Gostivarit Arben Taravari, priti dje pasdite në kabinetin e tij ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhes Bejli.

Në takimin që kaloi në një atmosferë tejet miqësore, Taravari e njoftoi ambasadorin Bejli me rezultatet e shënuara gjatë qeverisjes së tij me Komunën e Gostivarit, por edhe me sfidat dhe problemet me të cilat po ballafaqohet, duke bërë me dije se vendosja e standardeve të reja në menaxhimin e komunës gjatë mandatit të tij, po jep edhe rezultatet e para në drejtim të përmirësimit të gjendjes.

Si shqetësim kryesor, kryetari Taravari shpalosi një të vërtetë të hidhur, respektivisht rënien permanente të cilësisë së jetës në vend, ku nuk bëjnë përjashtim as banorët e komunës së Gostivarit. Si sfera më të goditura, Taravari potencoi arsimin, shëndetësinë dhe politikën sociale ku politikat e gabuara dhe keqmenaxhimi shumëvjeçar politik, i nxjerr gjithnjë e më shumë në sipërfaqe pasojat.

Ndër problemet kryesore, Taravari përmendi buxhetin e cunguar të komunës, bllokadat nga këshilltarët që vijnë nga radhët e partive që kontrollojnë pushtetin qendror, marrjen e kompetencave në arsim si pasojë e decentralizimit jo të mirëfilltë. Konkretisht, Taravari e njoftoi ambasadorin Bejli për BDI-zimin e thellë të arsimit në komunën e Gostivarit, respektivisht se vendimet për çështjet arsimore merren në zyrat partiake të BDI-së në Gostivar.

Taravari shprehu gatishmëri që të ulet me të gjithë faktorët relevantë për të hartuar një strategji të mirëfilltë rreth depolitizimit të shkollave dhe arsimit.

Në takim, Taravari dhe Bejli, biseduan edhe për referendumin e 30 shtatorit, me ç’rast kryetari i komunës së Gostivarit njëherit dhe sekretar gjeneral i Aleancës për Shqiptarët, shpalosi qëndrimin e partisë së tij rreth kësaj çështjeje. Në këtë drejtim kryetari Taravari shprehu drojën e tij për jehonë të vogël në referendum për shkak të largimit masiv të popullatës e sidomos rinisë së Gostivarit me rrethinë, dukuri kjo shumë e theksuar edhe në nivel të vendit, sidomos tek popullata shqiptare.

Megjithatë, Taravari siguroi ambasadorin Bejlin se qytetarët e Gostivarit janë të përcaktuar për integrimin e vendit në NATO dhe BE, dhe se pjesa dërmuese e popullatës në Gostivar, këtë orientim do ta dëshmojnë edhe përmes referendumit .

Pas takimit, kryetari i komunës dhe ambasadori amerikan, më këmbë shkuan deri te Qendra për të Rinjtë dhe Komunitetin, për të bërë hapjen solemne të saj, e që është një projekt i implementuar ng Democracy Lab me mbështetje të Ambasadës amerikane në Shkup dhe Komunës së Gostivarit.

Shërbimi për informim