Kryetari Arben Taravari priti ambasadorin italian Carlo Romeo

25.06.2018

Ambasadori italian në Shkup, Carlo Romeo vizitoi Komunën e Gostivarit me ç’rast u prit nga kryetari i komunës Arben Taravari.

Në takim u bisedua për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit që ka vendi ynë me miqtë tanë italian në nivel nacional, e sidomos në nivel lokal.

“Bashkëbiseduam me ambasadorin për thellimin e bashkëpunimit të dy vendeve në nivel nacional dhe në nivel lokal. Shpalosëm mundësinë edhe të binjakëzimit të komunës së Gostivarit me ndonjë komunë italiane. Po ashtu e njoftova ambasadorin me gatishmërinë tonë që ta fusim gjuhën italiane si gjuhë të dytë të huaj në shkollat fillore dhe të mesme të Gostivarit, konform vendimit të qeverisë, duke pasur parasysh se në Itali kemi shumë mërgimtarë nga treva jonë”, u shpreh Taravari pas takimit.

Në të njëjtën linjë ishte edhe ambasadori italian Romeo, i cili mërgimtarët gostivaras në Itali i cilësoi si një komunitet mjaft i rëndësishëm.

“Qytetarët e Gostivarit të cilët jetojnë dhe punojnë në Itali, paraqesin një komunitet mjaft të rëndësishëm. Shpresoj se bashkëpunimi ekzistues ndërmjet dy vendeve, konkretisht edhe me komunën e Gostivarit, do të thellohet akoma më shumë në aspekt ekonomik, kulturor dhe arsimor dhe se do të ketë edhe investime italiane në komunën tuaj”, nënvizoi ambasadori Carlo Romeo.

Shërbimi për informim