Kryetari Taravari: Apel institucioneve të vendit tonë të ndihmojnë Shqipërinë në këto orë të vështira

Kryetari i Komunës së Gostivarit Arben Taravari shpreh keqardhje lidhur me situatën e rëndë nga tërmeti i rënë në Shqipëri dhe ngushëllon familjet e viktimave dhe të lënduarve nga tërmeti. Në emër të të gjithë banorëve të Gostivarit, kryetari Taravari ka apeluar institucionet e vendit tonë të ndihmojnë Shqipërinë në këto moment të vështira.

“Shqipëria është goditur nga një tërmet vdekjeprurës, duke shkaktuar humbje në njerëz. Ende shtohet numri i viktimave. Ka njerëz ende nën rrënoja dhe nuk dihet ende fati i tyre! Ndërkohë plagosje të shumta dhe dëme të pafundme materiale janë pjesa tjetër e këtij bilanci tragjik! Nuk kisha dashur për asnjë rrethanë të shkruaja këtë apel, e sidomos për Shqipërinë. Gjithsesi, bëj apel tek çdo insitucion, organizatë qeveritare dhe jo qeveritare, sipërmarrje private e deri tek të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut që të ndihmojmë Shqipërinë në këto orë të vështira!”, shkruan kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari në apelin e tij.

Kryetari Taravari thotë se zemra dhe shpirti i çdo gostivarasi është me vllezërit dhe motrat tona nga Shqipëria dhe lutjet tona nuk do të mungojnë që të mos përsëritet kjo goditje e rëndë asnjëherë.