Kryetari Taravari ftoi qeverinë të ndihmojë komunat e vendit

Në komunën e Gostivarit u mbajt mbledhja e dhjetë e Shtabit të emergjencës për prevencion nga virusi Corona, nga ku u bë e ditur se brenda 24 orëve të fundit nuk ka pasur raste të reja me koronavirus në regjionin më të gjerë të Gostivarit. Kryetari i Komunës së Gostivarit Arben Taravari tha se mbi një javë nuk kemi raste të reja të të infketuarve dhe aktiv mbeten pesë raste të konfirmuar me koronavirus në Gostivar dhe katër në Komunën e Vrapçishtit.

Kryetari Taravari duke iu përgjigjur pyetje të gazetarëve, bëri të ditur se komunat shënojnë një rënie të të ardhurave buxhetore që nga fundi i marsit për shkak të krizës me pandeminë nga Covid 19. Komuna e Gostivarit, tha ai, ka një rënie të të ardhurave për 71 për qind në muajn mars krahasuar me të njejtin muaj nga viti i kaluar.

Ai tha se pushteti qendrorë deri më tani nuk i ka ndihmuar komunat dhe i bëri thirrje qeverisë që për të tejkaluar situatën e krijuar, nga kreditë e marra nga institucionet, një pjesë t’u dedikohen komunave.

Që mos vijë deri te përkeqësimi më i madh i situatës ekonomike, pasi edhe situata me COVID-19 po stabilizohet dy javët e fundit në RMV, kryetari Taravari shpresoj se javën që vjen, edhe masat kufizuese në mënyrë graduale të suspendohen, duke filluar me shkurtimin e orës policore.

Ai u bën apel kompanive dhe qytetarëve që nuk janë prekur nga pandemia që të paguajnë detyrimet e tyre me aq sa kanë mundësi.