Kryetari Taravari, me apel deri te qytetarët dhe policia me rastin e ardhjes së mërgimtarëve

13.07.2018

Me rastin e ardhjes së mërgimtarëve, kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari, qytetarëve dhe policisë së Gostivarit iu drejtua me një apel në të cilin fton ata të tregohen më zemërgjerë dhe më mikpritës.

Apelin e kryetarit Taravari jua përcjellim të plotë në vijim:

Të nderuar qytetarë të komunës së Gostivarit,

Këtyre ditëve, mërgimtarët tanë po vijnë në vendlindje për të kaluar pushimet. Fluksi më i madh pritet gjatë kësaj fundjave dhe në ditët në vazhdim. Komuna e Gostivarit, në bashkëpunim edhe me institucione tjera dhe me shoqata të ndryshme qytetare, angazhohen që këtë vit qëndrimin në vendlindje, mërgimtarëve tua bëjë sa më të këndshëm dhe sa më tërheqës.

Mërgimtarët vijnë vetëm për pak ditë në vendlindje, Gjatë atyre pak ditëve, ata shpenzojnë dhe investojnë aq shumë para, saqë mbajnë të gjallë ekonominë e vendit.

Nëse një pjesë e vogël e tyre, kryesisht të moshës rinore, nuk janë sa duhet të disiplinuar në trafikun rrugor, dhe bashkë edhe me të rinjtë tjerë të qytetit tonë bëjnë veprime të cilat pak më vështirë mund t’i pranojnë gjeneratat më të vjetra, duhet të tregohemi pak më zemërgjerë dhe më tolerantë përderisa veprimet e tyre nuk lënë pasoja, ose nuk paraqesin ndonjë shkelje më të rëndë të ligjit dhe normave ligjore.

Andaj, edhe sivjet bëj apel deri tek Stacioni i Policisë në Gostivar, respektivisht deri te komandanti i policisë së Gostivarit, që të mobilizojë efektivët për të qenë në nivel të detyrës, të ndikojnë më shumë në mënyrë preventive dhe të asistojnë sa më shumë që të menaxhohet me sukses fluksi i rritur në trafik, pa mos pasur nevojë për masa ndëshkuese.

Me respekt,

Arben Taravari – kryetar i komunës së Gostivarit