27.08.2018

Artistët figurativë nga vende të ndryshme të botës, të cilët marrin pjesë në Koloninë ndërkombëtare të artit “Gostivari 2018”, vizituan sot Komunën e Gostivarit me ç’rast u mirëpritën nga kryetari Arben Taravari.

Në takimin e realizuar në sallën e Këshillit të komunës së Gostivarit, kryetari Taravari bëri një përshkrim të shkurtër të komunës dhe qytetit të Gostivarit, duke thënë se Gostivari njihet si qytet i mikpritjes por edhe si qytet i artistëve figurativë

“Ju dëshiroj qëndrim të këndshëm në qytetin tonë dhe uroj që të krijoni vepra sa më të mira artistike në kuadër të kolonisë. Ne si Komunë e Gostivarit, do të vazhdojmë të mbështesim aktivitetet e ndryshme në sferën e artit figurativ, por edhe të kulturës në përgjithësi, sepse arti dhe kultura janë ato që i japin shpirt shoqërisë”, theksoi mes tjerash kryetari Taravari.

Reshat Ameti – kryetar i Shoqatës së Artistëve Figurativë “Draudacum” me seli në Gostivar, falënderoi kryetarin Taravari për mbështetjen dhe e njoftoi atë se kjo koloni është tradicionale dhe e 13-ta me radhë, ku sivjet marrin pjesë 40 artistë figurativë nga 12 vende të ndryshme të botës.

Në këtë takim mjaft miqësor të artistëve dhe kryetarit Taravari, folën edhe artistët Vllade Temkov, Svetisllav Savkoviq – Kajyer, Vaihid Hakan dhe Sefkat Isligen.

Në Koloninë e 13 ndërkombëtare të Artit “Gostivari 2018”, marrin pjesë artistë figurativë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, SHBA, Ukraina, Mali i Zi, Turqia, Egjipti, Franca, Serbia, Bosnja e Hercegovina dhe Koreja e Jugut.

Koloninë e organizon SHFAM Draudacum” – Gostivar, ndërsa e njëjta financohet nga Ministria e Kulturës dhe Komuna e Gostivarit.

Kryetari i “Draudacum”, Reshat Ameti e ftoi kryetarin Arben Taravari për pjesëmarrje në ekspozitën me veprat e krijuara në këtë Koloni, që do të mbahet në Qendrën për Kulturë në Gostivar më 29 gusht.

Shërbimi për informim