22.02.2019

Një delegacion nga Bashkësia Lokale e fshatit Llaskërcë në krye me kryetarin Samet Misini, qëndruan sot në komunën e Gostivarit, për t’i shprehur kryetarit Arben Taravari dhe qytetarëve të Gostivarit ngushëllime për viktimat dhe dëshirat për shërim të të mbijetuarve nga tragjedia e 13 shkurtit.

“Vazhdimisht numërojmë numrin e viktimave, por ndonjëherë harrojmë se atë tragjedi e mbijetuan 38 persona të tjerë, dhe gjithë kjo, pikësëpari falë kontributit të këtyre personave të cilët na erdhën sot për ngushëllime dhe kontributit të bashkëfshatarëve të tyre, të cilët me të gjitha forcat dolën në ndihmë dhe arritën që të shpëtojnë shumë jetë njerëzish. Gjithsesi, Gostivari ka për borxh që këta njerëz t’i respektojë dhe gjithmonë tu jetë mirënjohës”, theksoi Taravari.

Ai informoi se nesër në ora 13:00 do ta vizitojë vendin e ngjarjes, ku do të takojë edhe banorët e këtij fshati hero, të cilët do t’i falënderojë dhe do të kërkojë prej tyre propozime për ndonjë projekt infrastrukturor të cilin Komuna e Gostivarit, në kuadër të mundësive do të mund ta realizonte si donacion.

“Përmes atij projekti, do të doja që ne si gostivaras të forcojmë raportet me banorët e Llaskërcës, t’i kujtojmë gjithmonë këta heronj dhe kjo të shërbejë si një shembull për humanizëm dhe solidaritet”, nënvizoi kryetari Arben Taravari.

“Nuk mund të përshkruhet me fjalë ai tmerr të cilin e pamë ne të cilët të parët vrapuam për të ndihmuar. Ne si popull jemi njerëz human dhe ndihmojmë në momente të vështira. Si kryetar i bashkësisë lokale, falënderoj bashkëfshatarët e mi që aq shpejt u mobilizuan dhe u organizuan me të gjitha mjetet e mundshme që të ndihmojnë aq sa ishte e mundur për të shpëtuar sa më shumë njerëz”, theksoi kryetari i BL të fshatit Llaskërcë, Samet Misini.

Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari në shenjë respekti dhe falënderimi, kryetarit të BL Llaskërcë Samet Misini i ndau Mirënjohje.

Shërbimi për informim