22.02.2018

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Maqedoni, Fatos Reka, qëndroi për vizitë zyrtare në Komunën e Gostivarit, me ç’rast u prit nga kryetari i komunës, Arben Taravari.

Në një takim të ngrohtë miqësor, kryetari Taravari njoftoi ambasadorin Reka me sfidat me të cilat ballafaqohet udhëheqësia e re komunale, si dhe me sukseset e arritura duke zbatuar një qasje të re të menaxhimit në këto tre-katër muajt e para të mandatit.

Kënaqësi dhe nder që sot ta kemi të pranishëm Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Maqedoni, Fatos Reka. Biseduam për të gjitha projektet që mund t’i realizojmë së bashku ne si Komunë e Gostivarit me Bashkitë e Shqipërisë. Raportet tona janë korrekte dhe do të mundohemi që së bashku të bëjmë më të mirën për qytetarët e të dyja vendeve ,gjatë periudhës së ardhshme katër vjeçare”,tha në prononcimin e tij për media Taravari.

Meqë kjo ishte vizita e parë e Ambasadorit shqiptar në Komunën e Gostivarit pas zgjedhjeve lokale, Reka ia uroi Taravarit marrjen e detyrës, duke i dëshiruar punë të suksesshme, duke e siguruar atë për mbështetje dhe thellim të bashkëpunimit në mes të Komunave të Maqedonisë dhe Bashkive të Shqipërisë

Ishte nder i veçantë që isha sot mysafir i z.Taravarit. Unë erdha për ta uruar për detyrën e re si dhe për të biseduar rreth rritjes së efikasitetit për vjeljen dhe implementimin e fondeve të BE-së. Unë e sigurova z Taravarin se ne do ta mbështesim atë për të gjitha nismat në dobi të qytetarëve. Besoj se ashtu si në në detyrat e më përparshme, z.Taravari do të ketë sukses edhe në detyrën e kryetarit të komunës së Gostivarit”, deklaroi ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Fatos Reka.   

Taravari e informoi Ambasadorin edhe për formimin e Unionit të Bashkive Shqiptare, qendra e së cilës do të jetë në Tiranë. Stafi I këtij Unioni do të përbëhet nga përfaqësues të të gjitha qendrave shqiptare . Detyra e unionit do të jetë që me anë të projekteve konkrete, të shfrytëzojë IPA fondet për bashkëpunim regjional të komunave shqiptare të Maqedonisë, Kosovës e Shqipërisë.

Vlen të theksohet se Komuna e Gostivarit, në kuadër të IPA programit për bashkëpunim ndërkufitar, ka realizuar projekt të përbashkët me Bashkinë e Korçës, ndërsa synimet janë që të vendoset bashkëpunim i drejtpërdrejtë dhe shkëmbim përvojash me më shumë komuna të Shqipërisë.

Shërbimi për informim