Kryetari Taravari priti anëtarët e AKVP Besa, i përgëzoi për prezantimin e suksesshëm në Festivalin në Koxhaeli të Turqisë

20.07.2018

Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari priti sot në kabinetin e tij anëtarët e Ansamblit “Besa” nga Gostivari, të cilët më 14 dhe 15 korrik, morën pjesë në Festivalin “Vlerat e Harruara” në komunën Kartepe të krahinës Koxhaeli të Turqisë.

Kryetari i Ansamblit, Imran Miniri dhe koreografi Dilaver Sulejmani, njoftuan kryetarin Taravari se kanë pasur një paraqitje të mirë në këtë festival, ku janë shfaqur me dy valle dhe me dy këngë popullore. Ata falënderuan kryetarin Taravari për mbështetjen materiale të deritashme për realizim të aktiviteteve të parapara, e sidomos përshëndetën gatishmërinë e tij që mbështetja të jetë e vazhdueshme dhe akoma më e madhe, dhe se kjo për ta është një stimul që sa më shumë të kontribuojnë për kulturën shqiptare në Gostivar.

Duke i përgëzuar për punën që bëjnë, kryetari Taravari tha se “Besa” ka qenë dhe vazhdon të mbetet një emblemë e Gostivarit dhe se ajo u takon të gjithë gostivarasve, andaj duhet që të gjithë së bashku t’ia kthejmë shkëlqimin që e ka pasur dikur.

Më gëzon fakti që shumica e anëtarëve janë të rinj, dhe se Besa do të vazhdojë të jetojë brez pas brezi dhe të kultivojë vlerat kulturore artistike të shqiptarëve të Gostivarit e më gjerë. Do ta keni përkrahjen time të vazhdueshme gjatë gjithë mandatit, dhe shpresoj se edhe të tjerët të cilët do të vijnë në krye të Komunës, do të vazhdojnë ta mbështesin Besën edhe materialisht edhe moralisht, sepse Besa është e të gjithë neve”, theksoi kryetari Arben Taravari.

Kryetari i AKVP “Besa”, Imran Miniri , ia dorëzoi kryetarit Taravari Mirënjohjen e ndarë për Komunën e Gostivarit nga organizatorët e festivalit në Koxhaeli, ndërsa të gjithë anëtarët bënë fotografi të përbashkëta me kryetarin Taravari duke mbajtur në dorë mirënjohjet për pjesëmarrje në festival dhe Pllaketën për performancë të suksesshme.

Shërbimi për informim