Kryetari Taravari priti kampionin ballkanik të karatesë Berat Jakupi

26.03.2018

Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari, priti në kabinetin e tij karateistin Berat Jakupi pas suksesit të radhës që shënoi në Kampionatin Ballkanhik të karatesë në Stamboll nga ku u kthye me medalje ari.

“Të gjitha kohërat kanë heronjtë e vet. Viteve të fundit, simbol dhe ambasador i Gostivarit në Ballkan, Evropë por edhe në botë, mban emrin Berat Jakupi. Para meje kam medaljet e Beratit dhe ky fakt më bën që si gostivaras, të jem shumë krenar për këtë sukses të tijin”, theksoi Taravari.

Jakupi falënderoi kryetarin Taravari për mikpritjen e e ngrohtë dhe interesimin e tij për avancimin e sportit në Gostivar.

“Ëndrra ime nuk përfundon këtu. Medaljet e fituara më hapin rrugën për pjesëmarrje në lojërat olimpike Tokio 2020. Shpresoj që në kampionatin evropian të kurorëzohem me medalje dhe gradualisht edhe në kampionatin botëror në fund të këtij viti të jem aty diku. Dhe nëse i arrij këto rezultate, do të na bëhet ëndrra realitet që Gostivari të ketë përfaqësues në lojërat olimpike”, u shpreh optimist Jakupi.

Ndryshe, Berat Jakupi deri më tani është stolisur me shumë medalje, ku vlen të theksohet medalja e artë në kategorinë +78kg në evropianin e karatesë për U-21 në Lisbonë të Portugalisë. Ai llogaritet ndër karateistët më të suksesshëm të të gjitha kohërave në Maqedoni.

Shërbimi për informim