Lllakavicasit pritën Kurban Bajramin me rrugën e re të asfaltuar

23.08.2018

Banorët e fshatit Llakavicë festën e Kurban Bajramit, sivjet e shënuan me rrugën e re të asfaltuar në hyrje të fshatit.

Realizuesit e punimeve punuan intensivisht edhe në ditët e festës, me qëllim që të përfundojnë punimet për riasfaltimin e rrugës në gjatësi prej 230 metra, me një sipërfaqe prej mbi 1300 metra katror, respektivisht prej te rruga rajonale Gostivar-Sërmnovë e deri te ura mbi lumin Llakashnicë në brendi të fshatit Llakavicë.

Paraprakisht u bë gërryerja e asfaltit ekzistues i cili ishte mjaft i dëmtuar, me trashësi prej 4 cm, e më pas sipërfaqja u shtrua me asfalt të ri të cilësisë së lartë.

Për këtë qëllim Komuna e Gostivarit ndau nga buxheti i saj 1.046.000 denarë.

Ishte ky edhe një premtim i realizuar i kryetarit të Komunës së Gostivarit, Arben Taravari për vitin e parë të mandatit.

Ndryshe, Komuna e Gostivarit për në fshatin Llakavicë ka paraparë edhe disa projekte infrastrukturore gjatë mandatit katërvjeçar, si kërkesa të arsyeshme të banorëve të kësaj ane.

Shërbimi për informim