Logopedistë nga Shqipëria mbajtën seminar për çrregullimet dhe vështirësitë në të folur

18.09.2018

Në organizim të Komunës së Gostivarit dhe në bashkëpunim me shoqata dhe ekspertë që merren me çështje të fëmijëve me nevoja speciale, sot në sallën e Këshillit të Komunës së Gostivarit u mbajt seminar në temë “Çrregullimet dhe vështirësitë në të folur”.

Në këtë seminar morën pjesë prindër të fëmijëve me vështirësi në të folur, pedagogë, psikologë, mësimdhënës të shkollave fillore, edukatore, punëtorë socialë, punonjës të Qendrës Ditore, si dhe administratorë të komunës së Gostivarit.

Në seminar ligjëruan ekspertë të fushës nga Shqipëria, logopedistet Adriana Ponde dhe Ana Kotro.

Seminari në fjalë ishte vazhdimësi e angazhimeve të kryetarit të komunës së Gostivarit, Arben Taravari për avancimin e cilësisë së jetës së personave me nevoja të veçanta dhe vënies në funksion të Qendrës për autizëm në kuadër të objektit të Konviktit të nxënësve në Gostivar. Sa i përket kushteve hapësinore dhe pajisjeve të nevojshme, tashmë kjo qendër është e kompletuar, ndërsa në vijim janë procedurat për sigurimin e lejes për punë, që pritet të ndodhë së shpejti.

Shërbimi për informim