Mbajti mbledhje Shtabi i emergjencës në Gostivar – situata nën kontroll

19.03.2020

Shtabi i emergjencës në Gostivar ku përfshihen komunat Gostivar, Vrapçisht dhe Mavrovë-Rostushë mbajti mbledhje në të cilën u shqyrtua situata aktuale me virusin korona dhe u përcaktuan masat që duhet të ndërmerren në vijim.

Me mbledhjen, në cilësinë e kryetarit të Shtabit të emergjencës, kryesoi kryetari i komunës së Gostivarit Arben Taravari, ndërsa të pranishëm ishin edhe kryetari i komunës së Vrapçishtit, Isen Shabani dhe i Mavrovë-Rostushës, Medat Kurtovski.

Tre kryetarët e komunave dhe përfaqësuesit e institucioneve dhe organeve përkatëse, raportojnë për gjendjen aktuale, masat që ndërmarrin dhe sfidat me të cilat ballafaqohen.

Ndër ata të cilët raportuan ishin komandanti i Stacionit policor të Gostivarit, përfaqësuesi i Prokurorisë themelore, drejtori Spitalit të përgjithshëm, drejtori i Shtëpisë së shëndetit, përfaqësuesja e Qendrës për menaxhim me kriza, përfaqësuesja e Drejtorisë për shpëtim, si dhe përfaqësues të inspektorateve të ndryshme, të gjitha këto që kompetencat e tyre i ushtrojnë në nivel të tre komunave.

Konstatim i përgjithshëm ishte se situata në përgjithësi është nën kontroll, dhe se problemet me të cilat ballafaqohen si institucionet ashtu edhe vetë qytetarët janë të përballueshme dhe ato mund të minimizohen me bashkëpunim dhe koordinim të thelluar.

Nga kjo mbledhje dolën edhe konkluzionet në vijim:

  • Të respektohen me përpikëri rekomandimet e Qeverisë dhe të mos bëhet fare kompromis
  • Të gjitha institucionet të ushtrojnë ndikimin e vet që qytetarët të qëndrojnë në shtëpi
  • Të ndërtohet strategji për izolim të rasteve potenciale të infektuar me virusin korona dhe të sigurohen kushte adkuate
  • Të mbahet në nivel të lartë higjiena në të gjitha institucionet shtetërore dhe komunale
  • Lëvizja e qytetarëve të reduktohet në minimumin e mundshëm
  • Bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të ngrihet në nivel maksimal

Vlen të theksohet edhe se në këtë mbledhje u mor qëndrim që Tregu i qytetit të mbyllet, edhe pse për punën e tregjeve të hapura, tash për tash nuk ka ndonjë vendim të definuar nga ana e Qeverisë.

Mbledhje e radhës së Shtabit të emergjencës, kryetari Taravari  e caktua për ditën e hënë në ora 10:00 në sallën e Këshillit të Komunës së Gostivarit.

Apeli i përbashkët deri te qytetarët vazhdon të mbetet i njëjtë: Panik JO, kujdes PO. Rrini në shtëpi!

Shërbimi për informim