29.11.2017

Ekspozita tradicionale mbarëkombëtare  “Çmimi i Nëntorit”, e cila organizohet nga ana e SHAFM “Draudacum” nga Gostivari dhe me koncertin “Paqe e miqësi nëpërmjet tingujve” me mjeshtër eminent të skenës muzikore shqiptare nga Elbasani, ishin aktivitetet përmbyllëse të organizuara në Gostivar për shënimin e Ditës së Flamurit, e që u mbështetën nga Komuna e Gostivarit.

Dy eventet kushtuar 28 Nëntorit, i përcollën një numër i madh i qytetarëve të Gostivarit, si dhe përfaqësues të Komunës së Gostivarit.

Në mungesë të kryetarit Taravari, fjalë përshëndetëse në ndarjen e Çmimit të Nëntorit, mbajti këshilltari komunal dr. Besim Memedi,i cili mes tjerash theksoi:

“Fëmija që fle rritet, ndërsa një popull që fle vdes, thoshte Ismail Qemali. Kjo ngjarje kulturore, tregon se ne nuk jemi popull i cili fle. Më lejoni që të përcjell përshëndetjet e kryetarit Arben Taravari, i cili për arsye objektive nuk mund të marrë pjesë fizikisht, por është prezent me shpirt. 28 Nëntori është një ditë të cilën e kemi festuar dhe do të vazhdojmë ta festojmë si më të shtrenjtën e ditëve. Gëzuar ditën e Pavarësisë, Shqipëri! Gëzuar Ditën e Flamurit, shqiptarë! Gëzuar 28 Nëntorin! Sinqertisht, Arben Taravari”, përcolli urimet e kryetarit Taravari, këshilltari komunal dr. Besim Memedi.

Në koncertin “Paqe e miqësi nëpërmjet tingujve”, me drejtor organizativ këngëtarin nga Gostivari Hajdar Hajdari, publiku gostivaras pati rastin të kënaqet me tingujt e këngës shqipe, por edhe të muzikës ballkanike për të përcjell mesazhin e paqes, tolerancës dhe miqësisë ndërmjet popujve.

Shërbimi për informim