21.12.2017

Me rastin e Ditës së arsimit turk në Maqedoni, me një solemnitet madhështor në prani të funksionarëve të lartë shtetërorë nga Turqia dhe Maqedonia, u bë sot promovimi i rikonstruktimit të plotë të Shkollës fillore “Mustafa Kemal Ataturk” në Gostivar.

Inaugurimin, me prerje simbolike të shiritit, e bënë kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari dhe zv/kryeministri i parë i Turqisë Hakan Çavuşoğlu.

Në hollin e shkollës, para nxënësve të shkollës dhe prindërve, fjalë përshëndetëse mbajtën kryetari i komunës së Gostivarit Arben Taravari, zv/kryeministri i parë i Turqisë Hakan Çavuşoğlu, presidenti i TIKA-s Serdar Çam, minsitri në Qeverinë e Maqedonisë Adnan Kahil dhe drejtori i SHF “M.K. Ataturk” Nuredin Oktaj, ndërsa të pranishëm ishin edhe shumë personalitete tjerë të lartë nga jeta politike dhe shoqërore e Turqisë dhe Maqedonisë.

Në fjalën përshëndetëse, kryetari Arben Taravari falënderoi qeverinë turke dhe Agjencinë TIKA për suportin e plotë për rikonstruktimin e kësaj shkolle si dhe të projekteve tjera në komunën e Gostivarit. Ai po ashtu, në fjalën e tij, u ndal më shumë në bashkëjetesën në komunën e Gostivarit, e sidomos në afërsinë e popullit shqiptar me atë turk, duke veçuar kështu personalitete historikë që kanë kontribuar për të dy popujt.

Një nga etnitë që jeton dhe ndërton përditë Gostivarin është pikërisht ajo turke, ndaj përkujtimi dhe festimi i kësaj date është një privilegj dhe kënaqësi për ne. Kështu fati e ka dhënë që këtu në Gostivar të jemi në rrethana të bashkëjetesës dhe ndaj në emër të gjithë qytetarëve të Gostivarit, në emrin e Komunës së Gostivarit dhe në emrin tim uroj Gëzuar Ditën e arsimit, respektivisht të alfabetit Turk! Qoftë Turqia një mike e mirë për ne! Qofshin gjithnjë shkronjat e këtij alfabeti shenja që formojnë fjalë paqeje dhe respekti!”, nënvizoi Taravari.

Në frymën e marrëdhënieve të mira ndëretnike, bashkëpunimit dhe tolerancës, ishin edhe diskutimet e folësve tjerë në këtë solemnitet, si dhe programi artistik i nxënësve të të tria nacionaliteteve që ndjekin mësimin në këtë shkollë në gjuhën turke, shqipe dhe maqedonase.

Në shenjë respekti për bashkëpunimin mes komunës dhe shkollës, kryetari Taravari dhe drejtori Nuredin shkëmbyen pllaketa me simbolin e institucioneve që ata i drejtojnë.

Pas mbarimit të ceremonisë, të pranishmit përshkuan ambientet e rinovuara të shkollës, e cila pas rikonstruktimit konsiderohet si një ndër shkollat me kushte më të mira në nivel nacional.

Rikonstruktimi i plotë i kësaj shkolle u bë falë financimit nga ana e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim TIKA, ndërsa vlera e projektit ishte 700 mijë euro.

Shërbimi për informim