Në Gostivar do të hapet Info qendër turistike

Së shpejti Gostivari do të bëhet me Info qendër turistike, ku vizitorët nga vendet tjera do të mund të njoftohen me trashëgiminë kulturore, bukuritë natyrore, kapacitetet hoteliere dhe gastronomike dhe të tjera.

Është ky një projekt që financohet nga Ministria e Pushtetit Lokal dhe SDC e Zvicrës, ndërsa implementohet nga Komuna e Gostivarit në bashkëpunim me Qendrën për Zhvillim Planor të Rajonit të Pollogut. Projekti kap shifrën prej 1.300.000 denarë (mbi 20.000 euro, ku komuna e Gostivarit siguron hapësirën dhe shpenzimet rrjedhëse për ekipin e të punësuarve. I njëjti do të zgjasë 5 vite me mundësi që të vazhdojë edhe për një periudhë më të gjatë.

Objekti i përkohshëm me dimensione 3.20 x 6.06 m tashmë është vendosur në sheshin e qytetit dhe pritet që shumë shpejtë të vihet në funksion, ku ekipi i të punësuarve do tu shpërndajnë fletushka dhe materiale të tjera promovuese, si dhe informatat e nevojshme.

Për vendosjen e objektit të përkohshëm është siguruar Leja me nr. 14-1629/2 të datës 08.01.2020, bazuar në Vendimin paraprak të Këshillit të Komunës i cili u aprovua unanimisht me 31 vota të këshilltarëve.

Pavarësisht tendencave të qarqeve të caktuara për të njollosur këtë projekt, nga qytetarët e Gostivarit u mirëprit dhe u cilësua si mjaft i qëlluar, sidomos për faktin që Gostivari i njohur si qytet mikpritës, këtë do ta dëshmojë tash e tutje edhe me një informim të mirëfilltë të vizitorëve se çka ofron komuna jonë.

Shërbimi për informim