22.09.2019

Komuna e Gostivarit organizoi shënimin e Ditës botërore pa makina. Me këtë rast u realizua defile me biçikleta nëpër rrugët kryesore të qytetit, në segmentet rreth pjesës qendrore.

Në këtë aktivitet u përfshinë dhjetëra qytetarë të të dy gjinive dhe të të gjitha grupmoshave, të cilët biçikletën e shohin si mjet transporti më ekologjik, më të shëndetshëm dhe më ekonomik.

Kryetari i komunës Arben Taravari, i cili po ashtu ishte pjesëmarrës në këtë aktivitet, deklaroi se ky është aktiviteti i dytë në këtë fundjavë për ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për mbrojtjen e mjedisit jetësor.

“Si Komunë e Gostivarit, kemi një projekt për blerjen e biçikletave, rreth 20-30, të cilat do t’i vendosim në shërbim të qytetarëve që të mund t’i shfrytëzojnë për përmbushjen e nevojave të tyre gjithmonë kur nuk është e domosdoshme që t’i përdorin makinat. Unë si kryetar do të përpiqem që të ndikoj edhe te administrate komunale, që sa më shumë t’i shfrytëzojnë biçikletat dhe të paktën ata të cilët jetojnë në qytet, sipas mundësive të vijnë në punë pa makina”, nënvizoi Taravari.

Qëllimi i këtij aktiviteti, synon të zvogëlohet ngrohja e planetit për vetëm një ditë, duke i inkurajuar njerëzit që të jenë më pak të varur nga makinat e tyre dhe të përpiqen për alternativa tjera.

Shërbimi për informim