Në kuadër të “Ditëve të mërgimtarëve”, u mbajt turne shahu në Gostivar

30.07.2018

Në mënyrë simbolike, me tërheqjen e lëvizjes së parë nga ana e kryetarit të komunës së Gostivarit, Arben Taravari dje në sheshine qytetit në Gostivar u bë hapja e turneut të shahut që u organizua në kuadër të manifestimit “Mirës e vini mërgimtarë”.

“Një ndër aktivitetet e shumta kulturore dhe sportive të organizuara në kuadër të manifestimit Ditët e mërgimtarëve është edhe turneu i sotëm në shah. Komuna e Gostivarit e mbështet këtë lojë inteligjente. Shpresoj se sot do të kemi meçe shumë të forta dhe uroj që të fitojë më i miri”, theksoi kryetari Arben Taravari.

Ndërkaq kryetari i klubit të Shahut “Gostivari, Ahmet Sallmani, njoftoi se në këtë turnament marrin pjesë 26 garues. Një pjesë e tyre janë anëtarë të klubit, disa janë ndjekës të shkollës së shahut, si dhe qytetarë të tjerë të cilët janë paraqitur për të garuar, ndër të cilët një pjesë janë mërgimtarë.

Turneu u zhvillua me formatin 7 xhiro, me tempo 5 minuta plus 2 sekonda.

Vendin e parë e zuri Yzeir Bajrami me 6 pikë të grumbulluara nga gjithsej 7 të mundshme, të dytin Sait Zyberi me 5.5 pikë , ndërsa të tretin Vasko Jovanovski me 5 pikë.

Tre vendet e para u shpërblyen me kupë, ndërsa vendi i tretë dhe i katërt me medalje. Shpërblimet i ndau Besim Dogani, udhëheqës i Zyrës për implementim të projekteve pranë Komunës së Gostivarit.

Shërbimi për informim