Në qytetin e Gostivarit dhe në disa fshatra, u shënua Dita botërore e pastrimit

,

21.09.2019

Administrata komunale, disa fshatra ku janë aktive bashkësitë lokale, organizatat ekologjike dhe qytetarë që kujdes për mjedis të shëndoshë jetësor, u përfshinë në aksionin e organizuar nga Komuna e Gostivarit për shënimin e Ditës botërore të pastrimit.

Pastrimit të sipërfaqeve publike iu bashkëngjit edhe kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari i cili së bashku me administratorët, aktivistët dhe qytetarët tjerë mblodhën mbeturinat nëpër rrugë dhe sipërfaqe tjera publike të qytetit.

“Qëllimi i këtij aksioni është ngritja e vetëdijes së qytetarëve për të mbajtur një ambient të pastër dhe të shëndoshë. Ndërmarrja publike i kryen rregullisht obligimet e veta, por për të pasur një qytet më të pastër, duhet të gjithë qytetarët të kujdesen të mos hedhin mbeturina dhe në mënyra të ndryshme, siç është edhe ky aksion i sotëm të kontribuojnë për një mjedis më të pastër dhe më të bukur. Siç e shihni janë përfshirë edhe disa shoqata që në fokus kanë mbrojtjen e mjedisit jetësor, si dhe disa bashkësi lokale, por fatkeqësisht drejtorët e shkollave nuk u bashkëngjitën dhe nuk mundësuan që ky aksion të jetë më masovike dhe të mbjellin dashurinë për pastërti te gjeneratat të cilat më së shumti kanë nevojë për këtë”, deklaroi kryetari Taravari.

Kryetari i shoqatës GV Eko, Ahmet Sallmani tha se pastërtia publike jo vetëm që ndikon pozitivisht në shëndetin tonë, por edhe i jep një pamje më të bukur qytetit. Ndërsa kryetarja e organizatës joqeveritare IGI, Sunçica Gjurçinoska tha se në këtë ditë secili prind duhej sot të marrë fëmijët e vet në këtë aksion sepse shprehitë për mjedis të pastër dhe të shëndetshëm krijohen që nga fëmijëria e hershme.

Kryetari Taravari vizitoi edhe Çajlën, ku u mirëprit nga kryetari i bashkësisë lokale, Sinan Elezi i cili e njoftoi atë për mbarëvajtjen e aksionit. Taravari përgëzoi Elezin për organizimin e shkëlqyer dhe rezultatet që shënon kjo bashkësi lokale në përgjithësi.

Shërbimi për informim