10.11.2017

Në Qendrën për kulturë në Gostivar, në sallën e mbushur deri në ulësen e fundit, u hap mbrëmë edicioni i parë i Festivalit të Teatrove “Othello” në organizim të Shoqatave për Kulturë “Othello” dhe “Fishta” nga Gostivari.
Festivalin e shpalli të hapur kryetari i komunës së Gostivarit Arben Taravari, i cili para artdashësve gostivaras tha se politika duhet të heqë dorë nga kultura dhe ta lë atë që të frymojë lirshëm.

“Kam nderin që ta shpall të hapur edicionin e parë të Festivalit të Teatrove “OTHELLO” – Gostivar, organizuar nga SHK “Othello”dhe SHK “Fishta” që do të zgjasë deri më 13 nëntor. Unë e kuptoj kulturën si ushqim shpirtëror andaj zotohem se Komuna e Gostivarit në të ardhmen do ta mbështesë këtë festival me qëllim që i njëjti të shndërrohet në një festival tradicional teatrosh që aq shumë i ka munguar qytetit tonë.

I përgëzoj të gjithë ata që kontribuuan që ky festival të jetësohet, e sidomos drejtorin e festivalit Argjent Hasani me të cilin ndaj mendimin se përfundimisht politika duhet të shkëputet nga kultura dhe arti të frymojë lirshëm në të ardhmen në këto troje.
Ju ftoj që njëlloj si sonte, edhe në netët tjera ta mbushim përplot sallën e Qendrës për kulturë. Të kënaqemi vetë dhe ta shpërblejmë me duartrokitje mundin e aktorëve. “, theksoi mes tjerash Taravari.

Të pranishmëve iu drejtua edhe drejtori i Festivalit, aktori gostivaras Argent Hasani, I cili me këtë rast falënderoi të gjithë ata të cilët kontribuuan dhe ndihmuan që ky Gostivari të jetë nikoqir i një festivali kaq të rëndësishëm.
“Nuk ka fund suksesi, nuk ka fund ideja, prandaj jemi përpjekur në maksimum që qytetarët tanë të kenë se çka të shohin, qytetarët të dalin nga ajo kafeja e përditshme dhe të vijnë të mbushin shpirtin me art. Uroj që festivali të bëhet tradicional dhe të mos ndalet këtu. Jemi të hapur për të gjithë artistët kudo që janë me të vetmin qëllim që spektatorit t’i sjellim më të mirën nga ne.

Faleminderit publikut që mund ta mbajë të gjallë këtë festival”, tha Hasani,
Në natën e parë të Festivalit u shfaq komedia “Një jetë me ty” të teatrit “Aleksandër Moisiu”, nga Durrësi me autor dhe regjisor Erion Kame.
Ndryshe, Festivali ka karakter garues, ndërsa juria profesionale përbëhet nga Sulejman Rushiti, Ismet Ramadani dhe Muzafer Etemi.

Shërbimi për informim

.c-article-list .article-image a { height: 250px; }