Një delegacion i Komunës së Gostivarit në takim pune në Komunën e Prishtinës

14.12.2017

Në kuadër të bashkëpunimit me komunat nga rajoni më i gjerë, një delegacion i komunës së Gostivarit në përbërje Seadin Ejupi – shef i kabinetit të kryetarit, Jasin Demiri – zëdhënës i komunës dhe Rijat Abdullai – këshilltar i jashtëm i komunës, realizuan dje një takim pune në Komunën e Prishtinës.

Ata u pritën nga z. Muhedin Nushi – drejtor i Drejtorisë së Administratës pranë Komunës së Prishtinës dhe bashkëpunëtorët e tij.

Gjatë vizitës, delegacionin e komunës së Gostivarit, nikoqirët e njoftuan nga afër me mënyrën e funksionimit të administratës komunale dhe gatishmërinë për bashkëpunim dhe shkëmbim përvojash midis dy komunave, sidomos në aspekt të rritjes së transparencës se komunës ndaj qytetarëve dhe kontributin direkt të tyre në procesin e vendimmarrjes për probleme që i tangojnë ata.

Ejupi, Demiri dhe Abdullai i uruan udhëheqësit komunalë për fitoren e dytë, si një konfirmim për punën e tyre të suksesshme në mandatin e parë të qeverisjes.

Drejtori i Drejtorisë së administratës pranë Komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi i cili njëkohësisht është edhe zëvendës i kryetarit Shpend Ahmeti, tha se planifikojnë që së shpejti të realizojnë një vizitë në komunës e Gostivarit dhe urimet për zgjedhjen e tij personalisht t’ia shprehin kryetarit të komunës së Gostivarit, Arben Taravari.

Shërbimi për informim