29.11.2017

Në vigjilie të stinës së dimrit, Ndërmarrja publike “Parkingjet publike dhe gjelbërimi”, është para përmbylljes së aksionit për krasitjen e drunjve në sipërfaqet publike në qytetin e Gostivarit.

“Për momentin jemi duke punuar në krasitjen e drunjve në parkun e vogël të qytetit dhe aksioni tashmë është në fazën përfundimtare. Do t’i shfrytëzojmë në maksimum ditët me mot të përshtatshëm për punë, që gjelbrimin dhe drunjtë t’i sjellim në një gjendje të kënaqshme”, thotë drejtori i kësaj ndërmarrjeje, Muzafer Zulbeari.

Nga ana tjetër, po kjo ndërmarrje ka ndërmarrë aksion edhe për pastrimin e shtratit të lumit përreth Xhamisë në fshatin Debresh. Nga kjo ndërmarrje njoftojnë se askioni i këtillë ndërmerret shkaku se i njëjti ka qenë përplot me hedhurina dhe se aksioni i këtillë ka qenë një kërkesë e banorëve të fshatit.

Aksione për pastrimin e shtretërve të lumenjve nëpër fshatrat e komunës së Gostivarit, do të realizohen në kontinuitet, varësisht nga nevoja.

Shërbimi për informim