17.11.2018

Më 26, 27 dhe 28 nëntor në Palestrën sportive “Rinia” në Gostivar do të mbahet Panairi i librit “Gostivari 2018”. Panairin e organizon Komuna e Gostivarit në bashkëpunim me Shoqatën e Botuesve Shqiptarë – Maqedoni.

Në këtë panair do të prezantohen rreth 14 shtëpi botuese nga Maqedonia dhe Shqipëria, me libra të autorëve shqiptarë dhe të huaj, vepra letrare bashkëkohore dhe klasike, letërsi profesionale, shkencore dhe beletristike, lektyra, enciklopedi dhe vepra nga sfera e kulturës dhe artit, të destinuar për të gjitha grupmoshat.

Ky panair do të bashkojë të gjithë njerëzit që merren me letrat shqipe; autorët, botuesit, lexuesit, përkthyesit, përfaqësuesit e shtypit dhe të medias etj, me synimin për të krijuar e zhvilluar kontakte tradicionale midis tyre dhe duke synuar promovimin dhe nxitjen e leximit në një publik sa më të gjerë, veçanërisht tek të rinjtë, në kushtet e mungesës së sistemit të shpërndarjes së librit në vendin tonë.

E veçanta e këtij panairi është se në suaza të tij do të organizohet edhe ekspozitë me vepra artistike të punuara nga fëmijët e që do t’u dhurohen shtëpive botuese pjesëmarrëse, event muzikor për të rinj, si dhe mbrëmje me muzikë klasike.

“E organizojmë këtë panair në bashkëpunim me Shoqatën e Botuesve Shqiptarë në Maqedoni, për të sensibilizuar sidomos të rinjtë dhe për të dërguar mesazhin se ndonëse jetojmë në një kohë të teknologjisë së avancuar, libri është i pazëvendësueshëm. Ju ftoj që të bëheni pjesë e këtij panairi i cili për herë të parë organizohet nën patronazhin e Komunës së Gostivarit dhe që do të jetë shumë i begatshëm”, u shpreh kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari.

Nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë presin që këtë panair ta vizitojnë jo vetëm qytetarët e komunës së Gostivarit, por edhe nga komunat tjera shqiptare prej Kumanove deri në Strugë.

Me një solemnitet rasti, Panairit do të hapet më 26 nëntor (e hënë) në ora 12:00.

Shërbimi për informim