15.10.2018

Fshati më i madh i komunës së Gostivarit, Çegrani, u bë me stadium bashkëkohor për futboll të vogël.

Komuna e Gostivarit siguroi barë artificial cilësor, shenjëzim të terrenit, ulëse plastike dhe ndriçim përkatës, ndërkaq realizimi i punëve u bë kryesisht falë angazhimit të Bashkësisë lokale të fshatit Çegran.

“Çegrani u bë me një stadium modern për futboll të vogël, për çka na i kanë lakmi jo vetëm fshatrat por edhe qytetet e këtij rajoni. Me barin artificial të shenjëzuar sipas të gjitha standardeve, me 330 ulëse për spekatatorët dhe me ndriçim adekuat, rinia e Çegranit do të mund ketë mundësi që të merret me këtë sport, por edhe të organizojë aktivitete të ndryshme me karakter lokal dhe rajonal“, thotë Sabri Bafqari – kryetar i BL Çegran, duke potencuar se realizimi i ketij projekti u bë falë angazhimit të pamohueshëm të bashkësisë lokale.

Ai falënderon kryetarin e komunës së Gostivarit, Arben Taravari, për mbështetjen e aktiviteteve të Bashkësisë lokale, por edhe banorët lokalë të cilët vihen në dispozicion që secili sipas mundësive të ndihmojë në realizimin e projekteve të ndryshme dhe tashmë Çegrani t’i ngjasojë një mjedisi urban.

Vlen të theksohet se Komuna e Gostivarit ka planifikuar një sërë projektesh të cilat do të implementohen në Çegran gjatë këtij mandati, për të kompensuar mungesën e investimeve në këtë fshat gjatë mandatit të shkuar, kur ndonëse Çegrani është vendbanimi më i madh rural në komunën e Gostivarit, për shkaqe politike ka qenë totalisht i anashkalur.

Shërbimi për informim