29.07.2019

Në një konferencë për shtyp ne lidhje me shkarkimin e drejtorëve të shkollave për të 6-tën herë u prononcua Shkëlqim Veseli nga shërbimi juridik pranë komunës së Gostivari.

“Është e ditur se dy herë radhazi Kryetarit të komunës së Gostivarit i merren kompetencat nga ana e ministrit të arsimit, në pjesën për emërim dhe shkarkim të drejtorëve.

Në periudhën kur kompetencat i kryen ministri, të gjitha veprimet i ndërmerr në emër dhe llogari të kryetarit të komunës së Gostivarit, e theksuar në dispozitiv të aktvendimit.

Me marrjen e kompetencave për herë të parë, ministri ka emëruar drejtorë në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme të komunës së Gostivarit. Po ashtu, ka një rast të veçantë pasi që ministri në këtë periudhë ka shpallur nul aktvendim për zgjedhje të drejtorit në SHFK Përparimi, me arsyetim se shpallja publike nuk ka qenë në pajtueshmëri me ligjin.

Me kthimin e kompetencave dhe duke pasur njohuri për aktvendimin e ministrit, Kryetari i komunës së Gostivarit i është drejtuar Inspektoratit Shtetëror të Arsimit (ISHA), të vërtetoj gjendjen në të gjitha shkollat e Komunës së GV.

Me njoftim të ISHA, është vërtetuar se në të gjitha shkollat shpallja publike për zgjedhje të drejtorit nuk ka qenë në pajtueshmëri me ligjin.

Me kalimin e afatit të aktvendimit për marrjen e kompetencave, Kryetari i komunës i ka ndërmarrë të gjitha veprimet në pajtueshmëri me ligjin për të evituar veprimet antiligjore të bëra nga ministri në emër dhe llogari të tij. Respektivisht kryetari i komunës në të gjitha shkollat fillore ka shpallë nul aktvendime për zgjedhje të drejtorëve pasi që shpallja publikë për zgjedhjen e tyre nuk është bërë në pajtueshmëri me ligjin, ndërsa meqë në ligjin për arsim të mesëm nuk është paraparë sakt se në sa gazeta ditore duhet të bëhet shpallja, është bërë shkarkimi i drejtorëve

Pas këtyre veprime nga ana e ISHA është kryer mbikëqyrje e jashtëzakonshme në të gjitha shkollat. Për rast të njëjtë kemi dy udhëzime te ndryshme nga ana e ISHA.

Në SHFK Ismail Qemali, është kryer mbikëqyrje është sjell përfundim se nuk është shkaktuar asnjë shkelje nga ana e Kryetarit të komunës.

Për rastin e njëjtë në shkollë fillore tjetër, është dhënë udhëzim për veprime të tjera.

E gjithë kjo procedurë e përshpejtuar nga ISHA  për të arritur deri te qëllimi politik, për ti marrë kompetencat Kryetarit të komunës. Pra misioni i ISHA ka qenë të vijë deri te marrja e kompetencave, duke e ditur se Komisioni i shkallës së dytë për vendosje në procedurë administrative dhe procedurë nga marrëdhënia e punës është organ kompetent për vendosje.

Ministri i arsimit i merr kompetencat kryetari akoma pa mos pasur vendim nga komisioni i shkallës së dytë si organ kompetent, me qëllim që ai të vendos në bazë të vendimit të komisionit.

Më pas kemi Vendime te komisionit të shkallës së dytë që janë identik me aktvendimin me të cilën  merren kompetencat. Aty theksohet se kryetari nuk është as organ i shkallës së parë, as organ i shkallës së dytë as organ që mund të ushtroj kontroll! Pyesim publikisht këto institucione çfarë organi është kryetari atëherë?

Kryetari i komunës është organ i shkallës së parë, në emër dhe për llogari të të cilit ministri i arsimit ka emëruar dhe shkarkuar drejtorë në cilësinë e organit të shkallës së parë, në periudhën kur i ka  ushtruar kompetencat ne atë pjesë. Nuk mundet dikush në emër dhe llogari të kryetarit të ketë mundësi ta bëjë, ndërsa për veprimet e njëjta kryetari të mos ketë mundësi në emër dhe për llogari te vetë të veprojë.”