23.11.2018

Udhëheqësja e Sektorit për Veprimtari Publike pranë Komunës së Gostivarit, Aslian Snopçe, mbajti sot konferencë për shtyp në lidhje me kthimin e ingerencave në arsim Komunës së Gostivarit, respektivisht kryetarit Arben Taravari. Ajo me këtë rast përmendi dështimet dhe keqpërdorimet në sferën e arsimit në këtë 9 muaj kur ingerencat i kishte pushteti qendror, si dhe ceku se tash e tutje arsimi do të jetë i departizuar dhe çdoherë do te angazhohemi te kemi arsim me njerëz profesionistë.
Përmbajtjen e konferencës për shtyp, jua përcjellim në mënyrë integrale:
“Të nderuar qytetarë, të nderuar gazetarë,
Këtë konferencë shtypi e kemi caktuar me qëllim të informimit tuaj dhe qytetarëve të Gostivarit, se pas një periudhe 9 mujore, ingerencat në sferën e arsimit në pjesën që ka të bëjë me emërimin dhe shkarkimin e drejtorëve të shkollave, përsëri i takojnë vetëqeverisjes lokale në Gostivar.

Fatkeqësisht, kaluan 9 muaj të plotë të mosfunksionimit të arsimit të mirëfilltë në Gostivar. Për 9 muaj të tërë, pushteti aktual, në mënyrë të qëllimshme tentoi që ta degradojë edhe më tepër procesin arsimor ne Gostivar.
Si pasojë e këtyre tendencave kanë humbur gjeneratat e reja, nxënësit e Gostivarit dhe të rrethinës. Për qëllime politike po merren në qafë gjenerata të tëra, për çka dikush duhet të përgjigjet. Nuk mund të shpjegohet ndryshe qëllimi që vetëm në Gostivar të mos lejohet menaxhim i shkollave nga ana e vetëqeverisjes lokale ashtu siç parasheh ligji. Nuk mund të shpjegohet ndryshe vendimi që vetëm Gostivarit t’i merren ingerencat, kur edhe kryetarë të tjerë vepruan njësoj, por nuk u intervenua.
Pra, ligji i arsimit për dikë është nënë, ndërsa për dikë tjetër njerkë. Me gojën plot qeveritarët propagonin demokraci dhe reforma, por në arsim për 9 muaj të tërë nuk pamë asnjë reformë, ndërsa Gostivari si komunë e vetme urbane në Maqedoni që nuk është nën qeverisjen e pushtetit aktual, po margjinalizohet në të gjitha sferat.

Nga ana e qeverisë, në mënyre flagrante po shkelet vullneti i qytetarëve të Gostivarit, që është një veprim eklatant antidemokratik. I parashtrojmë pyetje ministrit te arsimit, ku ka qenë për 9 muaj gjatë marrjes se kompetencave? Vallë nuk pati kohë të paktën një herë ta vizitoje Gostivarin dhe të shohë se në çfarë gjendje janë shkollat në Gostivar?
Pas marrjes se ingerencave nga ana e Ministrisë së Arsimit u emëruan drejtorë të rinj, që në fakt ishin po të vjetrit të emëruar në po të njëjtën mënyrë nga kryetari paraprak i Komunës së Gostivarit. Pra, në kohën para 5 vitesh kjo mënyrë e emërimet ishte e ligjshme, ndërsa kur emërimin e bëjnë të tjerët që nuk janë me pushtetin, e shpallin të paligjshëm. Konkluzionin e lëmë qe ta sjellin vetë qytetarët.
Me nisjen e vitit të ri shkollor 2018/2019, drejtorët e emëruar nga ana e Ministrisë, vendosën që mos i zgjasin kontratat e punës me një numër të madh arsimtarësh, pavarësisht se të njëjtit ishin profesionistë në punën e tyre dhe i plotësonin të gjitha kushtet ligjore për punë.

Nga ana e arsimtareve dhe te prindërve, si sektor i arsimit pranë Komunës së Gostivarit, pranuam shumë ankesa, dhe për atë qëllim morëm iniciativë dhe shtruam kërkesë inspektoratit shtetëror të Arsimit dhe inspektoratit shtetëror të punës, për kryerjen e inspektimeve të jashtëzakonshme në të gjitha shkollat e Komunës së Gostivarit. Për një pjese te tyre jeni te informuar nga konferencat e mëparshme për shtyp.

Nga ana e inspektorëve kemi pranuar shkresa ku janë konstatuar parregullsi të ndryshme nëpër shkolla. Në këtë mënyrë dyshimet tona që kanë të bëjnë me parregullsitë, u treguan se janë reale dhe të njëjtat u vërtetuan. Këto konstatime kanë të bëjnë me rastet si vijon:
Në të gjitha shkollat punojnë arsimtarë pa mos e pasur pëlqimin paraprak nga ana e kryetarit të Komunës.
Në të gjitha shkollat punojnë arsimtarë pa mos qenë të paraqitur në Agjencinë për punësim të Republikës së Maqedonisë si dhe pa mos qenë të paraqitur në Fondin për sigurim pensional dhe invalidor të Republikës së Maqedonisë deri sa nuk erdhi pëlqimi nga ministria edhe pse anashkalohet komuna.
Në të gjitha shkollat, evidencën pedagogjike e mbanin arsimtarë pa mos qenë të paraqitur në Agjencinë për punësim dhe fondin për sigurim pensional dhe invalidor .

Nga ana e disa drejtoreve te shkollave janë bere shpallje për prokurime publike për transportin e nxënësve, që është në kundërshtim me kompetencat e tyre.
Nga ana e disa drejtoreve jane bere shpallje për punësimin e arsimtarëve pa pëlqimin e kryetarit të Komunës që është në kundërshtim me ligjin për arsim fillor dhe te mesëm edhe atë në mes të gjysmëvjetorit para kthimit të kompetencave ku asnjëherë nuk ka qenë një traditë e tillë. Këtu humbin vetëm nxënësit tanë.

Nga ana e disa drejtoreve, janë bërë shpallje për drejtore vetëm në dy gazeta zyrtare që është në kundërshtim me ligjin dhe që e vërtetuam në shkollën e Çegranit, ndërsa hetimet vazhdojnë edhe ne shkollat tjera.
Ne disa shkolla janë punësuar persona te cilët nuk janë adekuat.
Gjithë këto te lartpërmendurat paraqesin shkelje të mëdha te kompetencave nga ana e drejtoreve te shkollave. Nënkuptohet që ne si Komune jemi te obliguar ti ndërmarrim te gjitha veprimet ligjore kundër drejtoreve, me qellim te eliminimit te te gjitha parregullsive te shkaktuara.

Ministria e arsimit dhe shkencës, respektivisht Komisioni për transformimin e vendeve të lira të punës me kohë të caktuar në kohë të pacaktuar – Arsimi i mesëm, nuk ka ndjekur procedurat ligjore dhe nuk ka respektuar hierarkinë për informim. Gjegjësisht përgjigjet, në vend në Komunë, u janë dërguar shkollave. Ndërsa ne jemi ndër të parat komuna që formuam Komisionin për transformimet e vendeve të punës, dhe i njëjti ka vepruar pa ngjyrime politike dhe etnike.
Ne si Komune çdoherë do te angazhohemi te kemi arsim me njerëz profesionist dhe jo arsim te partizuar me ushtarë partiak siç është rasti tani ne Komunën e Gostivarit. Ne e dëshmuam këtë edhe ne momentet përpara marrjes se ingerencave. Ato dëshmi i kemi dhënë ne konferencat e meparshme per shtyp.

Rasti i fundit i partizimit te arsimit ne Gostivar eshte ajo qe ndodhi diten e djeshme. Imagjnoni nuk i vazhdohet kontrata e punes profesorit Kimet Jusufi. Profesor i deshmuar nderkombetarisht. Me 50 punime shkencore ne revista te ndryshme ndërkombëtare te Fizikes ku e ka zbardhur fytyrën gjithë Gostivarit. Profesionist i klasit te pare. Veshtire se mund te gjenden edhe profesor universitar ne Maqedoni me CV me te begatshme shkencore se profesor Kimeti. Nese edhe ketu kerkohet libreza partiake e BDI-se, me te vërtete jemi per mjerim.

Për të gjitha informacionet e paraqitur me sipër, për mosrespektimin e dispozitave ligjore nga ana e drejtoreve kemi edhe dëshmi nga institucionet kompetente.
Faleminderit për pjesëmarrjen!”

Shërbimi për informim