Punohet në sanimin e defektit në tubacionin kryesor të ujësjellësit

,

26.12.2017

Ekipe të Ndërmarrjes Publike “Komunalec” janë duke punuar intensivisht në sanimin e defektit disavjeçar në tubacionin kryesor të ujësjellësit në fshatin Zdunjë.

Punimet kanë filluar mëngjesin e sotëm në ora 8:30 dhe për këtë shkak qyteti dhe fshatrat për rreth që furnizohen me ujë nga ujësjellësi i qytetit, për momentin kanë ndërprerje.

“Bëhet fjalë për një defekt shumë të madh në tubacionin kryesor Ф-500 në fshatin Zdunjë, defekt ky që daton prej 3-4 vitesh më parë dhe për pasojë kemi humbje të sasisë së ujit deri në 30 për qind. Ekipet tona punojnë intensivisht dhe shpresojmë se rreth mbrëmjes ta sanojmë defektin”, njofton Isak Lazami, drejtor i ndërmarrjes.

Krahas sanimit të këtij defekti, ndërprerja në furnizim me ujë të pijshëm shfrytëzohet edhe për sanim të tubacionit Ф-350 në afërsi të rezervuareve ne fshatin Vërtok.

Nga NP “Komunalec” dhe Komuna e Gostivarit kërkojnë mirëkuptim nga qytetarët për ndërprerjen aktuale të ujit të pijshëm.

Shërbimi për informim