03.01.2018

Me qëllim të ngritjes së transparencës dhe përfshirjes së drejtpërdrejtë të qytetarëve në vendimmarje në pushtetit lokal, dje në sallën e Këshillit të Komunës së Gostivarit u bë prezantimi i propozim-buxhetit të komunës për vitin 2018 dhe u zhvillua debat mbi të njëjtin.

Kryetari i komunës Arben Taravari i njoftoi të pranishmit se buxhetin e ka përpiluar udhëheqësi i Departamenti për buxhet dhe kontroll, Sadri Elezi duke u bazuar në të dhënat e grumbulluara nga të gjithë sektorët dhe departamentet e Komunës, ndërmarrjet publike, shkollat e fillore dhe të mesëm, si dhe kopshtet e fëmijëve. Me këtë rast ai ripërsëriti publikisht ftesën që sa më shpejtë të mbahet seanca e Këshillit komunal dhe në rend dite të vihet propozim-buxhtei i komunës.

Ftoj këshilltarët që përbëjnë 16-shen, që ta mbajmë seancë, të debatojmë në lidhje me buxhetin e propozuar, më pas edhe ta miratojmë atë dhe kështu ta bëjmë funksionale komunën. Le të shërbejë si shembull pozitiv Këshilli i komunës së Tetovës, ku edhe pse kryetarja aktuale e komunës së Tetovës Teuta Arifi nuk ka shumicë, këshilltarët e Aleancës e votuan buxhetin e propozuar dhe ai u miratua”, theksoi Taravari.

Buxheti i komunës së Gostivarit për vitin 2018 paraqet plan vjetor të të ardhurave dhe shpenzimeve të cilat janë përfshirë në buxhetin themelor, buxhetin nga aktivitetet e vetëfinancimit, donacionet, dotacionet dhe kreditë. I njëjti është planifikuar në 1.032.863.000 denarë (rreth 16.8 milion euro) e që krahasuar me buxhetin e vitit të kaluar është për 6,3% më i ulët. Përpiluesi i buxhetit Sadri Elezi njoftoi se kjo ulje paraqitet shkaku asaj se planifikimi i buxheti sivjet është shumë real dhe se pret që realizimi të jetë në nivel prej 95%.

Buxheti themelor është planifikuar në 356.000.000 denarë, prej të cilave 32,20% e të ardhurave priten të vijnë nga taksat komunale, 30% nga transferet dhe 19% nga tatimi në pronë. Sa i përket shpenzimeve të planifikuara nga buxheti themelor, karakteristik është fakti se për shpenzime kapitale janë planifikuar 120.700.000 denarë ose rreth 34%, që paraqet një përqindje të lartë kur kihet parasysh se mesatarisht në komunat e Maqedonisë kjo sillet rreth15-20%”, nënvizoi Elezi.

Vlen të theksohet se Komuna e Gostivarit, nga buxheti i saj ndan rreth 700 mijë euro për shpenzime rrjedhëse dhe kapitale për arsimin fillor, arsimin e mesëm dhe kopshtet e fëmijëve shkaku asaj se mjetet nga dotacionet që vijnë nga pushtetit qendror janë të pamjaftueshme. Situatën e rëndon fakti që nga dotacionet vetëm 5% e mjeteve dedikohen për shpenzime, ndërsa 95 % shkojnë për rroga dhe kompensime.

Për manifestime kulturore, sport dhe rekreacion si shpenzime rrjedhëse dhe kapitale janë planifikuar 8.200.000 denarë (rreth 135 mijë euro).

Pas prezantimit të buxhetit të planifikuar u zhvillua një debat i gjerë. Të gjitha vërejtjet dhe propozimet e qytetarëve të pranishëm u shënuan dhe ato që do të vlerësohen si të arsyeshme do të merren parasysh dhe do të shpalosen në seancë.

Shërbimi për informim