18.12.2019

Me qëllim të ngritjes së transparencës dhe përfshirjes së drejtpërdrejtë të qytetarëve në vendimmarrje në pushtetit lokal, dje në sallën e Këshillit të Komunës së Gostivarit u bë prezantimi i propozim-buxhetit të komunës për vitin 2020 dhe u zhvillua debat mbi të njëjtin.

Udhëheqësi i Departamenti për buxhet dhe kontroll, Sadri Elezi shpjegoi se buxheti i propozuar është përpiluar duke u bazuar në të dhënat e grumbulluara nga të gjithë sektorët dhe departamentet e Komunës, ndërmarrjet publike, shkollat e fillore dhe të mesëm, si dhe kopshtet e fëmijëve. Me këtë rast ai ripërsëriti publikisht ftesën që sa më shpejtë të mbahet seanca e Këshillit komunal dhe në rend dite të vihet propozim-buxheti i komunës.

Buxheti i komunës së Gostivarit për vitin 2020 paraqet plan vjetor të të ardhurave dhe shpenzimeve të cilat janë përfshirë në buxhetin themelor, buxhetin nga aktivitetet e vetëfinancimit, donacionet, dotacionet dhe kreditë. I njëjti është planifikuar në 1.140.371.000 denarë (rreth 19 milion euro).

Pas prezantimit të buxhetit të planifikuar u zhvillua një debat i gjerë. Të gjitha vërejtjet dhe propozimet e qytetarëve të pranishëm u shënuan dhe ato që do të vlerësohen si të arsyeshme do të merren parasysh dhe do të shpalosen në séancë.

Shërbimi për informim