18.10.2018
Ka filluar sot vaksinimi, kastrimi dhe vendosja e mikro-çipeve qenve të pastrehë të cilët kapen në territorin e komunës së Gostivarit. Intervenimi i parë u bë sot në stacionin e veterinarisë Dog&Cat në Tetovë, ku mori pjesë edhe vetë kryetari i komunë së Gostivarit, Arben Taravari. Komuna e Gostivarit është komuna e parë në Maqedoninë perëndimore e cila merr hapa të këtilla për zgjidhjen e këtij problem krucial, projekt ky që do të përmbyllet me hapjen e Qendrës shelter te ish kazermat në periferi të qytetit të Gostivarit, për vënien në funksion të të cilës nevojitet vetëm edhe sigurimi i licencës për punë.
“Siç patët mundësi të shihni, sot bëmë trajtimin e qenit të parë të kapu sot në territorin e komunës së Gostivarit nga ekipi i NP Komunlec, me ç’rast ai u vaksinua, u kastrua dhe iu vendos mikroçip identifikues që njëkohësisht tregon se ai qen është i trajtuar dhe nuk paraqet rrezik për rrethin. Trajtimi u bë në Stacionin e veterinarisë që ka fituar tenderin dhe posedon licencë për këtë lloj trajtimi, ndërsa në vijim do t mundohemi që të gjithë qentë e pastrehë në territorin e komunës së Gostivarit t’i sjellim këtu për intervenim, ndërsa së shpejti, menjëherë pas sigurimit të licencës për punë nga ministria përkatëse, ta vëmë në funksion edhe Qendrën shelter te ish kazermat në Gostivar, e cila është komplet e përgatitur për dedikimin e vet”, deklaroi për mediat kryetari i komunës së Gostivarit. Arben Taravari.
Kryetari i Odës së Veterinerëve të Maqedonisë, Tomisllav Nikollovski potencoi pa ashtu se komuna e Gostivarit është komuna e parë në Maqedoninë perëndimore e cila merr për sipër që në mënyrë sistemore të zgjidhë problemin me qentë e pastrehë dhe se prezenca e tij sot këtu paraqet mbështetje për mënyrën e mirë të zgjidhjes së këtij problemi .
Duke përshëndetur këtë hap të rëndësishëm të Komunës së Gostivarit, drejtori i Stacionit të Veterinarisë Dog&Cat, Rami Selmani tha se me vendosjen e mikro-çipeve , me siguri do të minimizohet edhe bartja e qenve endacakë nga komunat tjera sepse qentë e Gostivarit do të dallohen nga të tjerët. Me hapat e ndërmarra nga komuna e Gostivarit dhe NP Komunalec, do të vihet nën kontroll rreziku që vazhdimisht iu është kanosur sigurisë dhe shëndetit të qytetarëve të Gostivarit.

Shërbimi për informim