STATUTI

I

KOMUNËS SË GOSTIVARIT

  

25.01.2006

Gostivar

Në bazë të nenit 7 dhe 36 të Ligjit për vetëqeverisje lokale (“Gazeta zyrtare e RM” nr.5/02), Këshilli i Komunës së Gostivarit në seancën e mbajtur më 25.01.2006, solli:

STATUT

TË KOMUNËSSË GOSTIVARIT

I.                  Dispozita të përgjithshme

  Neni 1

          Komuna e Gostivarit është e themeluar dhe rajoni i saj është përcaktuar me Ligjin për organizimin territorial të vetvendosjes vendore në Republikën e Maqedonisë (“Gazeta zyrtare e RM” nr.55/04)

Neni 2

          Me këtë statut të Komunës së Gostivarit (në tekstin e mëtutjeshëm: Komuna), në pajtueshmëri me ligjin, përcaktohen:

–         organizimi dhe puna e organeve të Komunës;

–         organizimi dhe puna e komisioneve të Këshillit të Komunës;

–         kryerja e punëve në pajtueshmëri me parimin e subsidiaritetit;

–         mënyra e informimit të qytetarëve dhe qasje e lirë në informatat me karakter publik;

–         rastet e përjashtimit të opinionit nga seancat e Këshillit të Komunës;

–         mënyrën dhe procedurën për paraqitjen e parashtresave dhe propozimeve për punën e organeve të komunës dhe veprimin sipas tyre;

–         mënyrën e organizimit të tribunave publike, zbatimin e akteve dhe grumbullimin e propozimeve të qytetarëve;

–         mënyrën e shpalljes së rregullave të Këshillit;

–         mënyrën e kryerjes së obligimeve nga sfera e mbrojtjes në gjendje lufte;

–         vetvendosjen vendore;

–         mënyrën dhe procedurën për përcaktimin e stemës dhe flamurit të komunës;

–         çështje të tjera me rëndësi për Komunën.

Neni 3

          Çështje të caktuara lidhur me realizimin e kompetencave, procedurat e punës dhe vendosjen në Këshillin e Komunës, rregullohen për së afërmi me rregulloren e Këshillit të Komunës (në tekstin e mëtutjeshëm: rregullore).

          Rregulloren e nxjerr Këshilli i Komunës (në tekstin e mëtutjeshëm: Këshill), me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i anëtarëve të Këshillit.

Neni 4

          Komuna ka festën e vet.

          Festa e Komunës është 23 dhjetori –dita e konstituimit Këshillit të parë pluralist të Komunës së Gostivarit.

Neni 5

            Selia e Komunës së Gostivarit është në qytetin e Gostivarit, bulevardi “Braqa Gjinoski”  nr. 61 .

Neni 6

          Komuna ka stemën dhe flamurin.

Neni 7

           Stema e Komunës është paraqitur me kështjellë që e shpreh pasqyrën për lashtësinë e qytetit, në mes është vendosur ,,KULLA E SAHATIT,, me të cilën shprehet arkitektura burimore e qytetit, e në prapavijë është prezentuar lumi Vardar në formë të harkut që e shpreh rrjdhën e lumit, nga ana e majtë shtrihet Mali Sharr, e nga ana e djathtë shtrihet mali i Thatë me gërshtetim të të gjithë sipërfaqes të ngjyrës së bardhë të kaltërt të mbyllur dhe ngjyrë të kaltërt të hapur.

Neni 8

         Flamuri i Komunës ka formë drejtëkëndëshi me ngjyrë të kaltërt të mbyllur,e në këndin e majtë të epërm ndodhet stema e Komunës me të gjitha elementet e lartëpërmendura për stemën.

Neni 9

          Komuna ka vulë me formë rrethore me diametër 30 (tridhjetë) milimetër, në mesin e së cilës ndodhet stema e Komunës dhe në skajet e së cilës është shkruar me tekst në gjuhën Maqedonase dhe në gjuhën shqipe ,,Република Македонија-Општина Гостивар,, kurse nga gjysma e anës së djathtë të vulës : “Republika e Maqedonisë- Komuna e Gostivarit –Gostivar”

II. ORGANIZIMI DHE PUNA E ORGANEVE TË KOMUNËS

  1. Këshilli

a)    Konstituimi

Neni 10

          Konstituimi i Këshillit bëhet me verifikimin e mandatit të anëtarëve të Këshillit të zgjedhur në mënyrë të përcaktuar me ligj dhe me vënien e nënshkrimit dhe dhënien e deklaratës solemne sipas përmbajtjes së përcaktuar me ligj.

          Verifikimi i mandatit të anëtarëve të Këshillit bëhet në seancën e parë konstituive të Këshillit, me propozimin e komisionit për çështjet e verifikimit, zgjedhje dhe emërime që formohen në fillim të seancës nga radhët e anëtarëve të posazgjedhur të Këshillit.

          Verifikimi i mandatit të anëtaëve të Këshillit që nuk kanë qenë të pranishëm në seancën e parë të Këshillit e bën në seancën e parë në të cilën do të marrin pjesë ata.

Neni 11

          Procedura për verifikimin e mandatit të anëtarëve të Këshillit përcaktohet për së afërmi me Rregulloren.

b) Të drejtat dhe obligimet e anëtarëve të Këshillit.

Neni 12

          Anëtari i Këshillit ka të drejtat dhe obligimet të përcaktuara me ligj dhe me këtë Statut.

          Anëtari i Këshillit i merr të drejtat dhe obligimet e veta pas verifikimit të mandatit.

Neni 13

          Anëtari i Këshillit ka të drejtë dhe obligim:

–         të propozojë debat për çështje, dukuri dhe gjendje që janë me rëndësi vendore si dhe me rëndësi për qytetarët e komunës;

–         të ngrejë iniciativa për nxjerrjen e vendimeve dhe akteve tjera nga kompetencat e Këshillit si dhe të propozojë amendamente në mënyrën dhe sipas procedurës të parashikuar me rregulloren;

–         të kërkojë nga administrata e komunës (në tekstin e mëtutjeshëm: administrata) si dhe nga shërbimet publike, institutet dhe ndërmarrjet dhe nga institucionet tjera të themeluara nga komuna, të dhëna dhe informata tjera për çështje nga fushëveprimi i vet e që i janë të nevojshme për punën e tij në Këshilli;

–         të kërkojë dhe të marrë ndihmë profesionale në përgatitjen e propozimeve të cilat ia paraqet Këshillit, në paraqitjen e pyetjeve të këshilltarëve dhe në kryerjen e punëve të tjera të cilat ia ka besuar Këshilli, gjegjësisht komisioni në të cilin është anëtar;

–         t’i ruaj si fshehtësi të dhënat të cilat janë klasifikuar si të tilla, që do t’i kuptoje në seancën e Këshillit apo të komisionit.

                                                  

Neni 14

          Anëtari i Këshillit ka të drejtë të jetë i pranishëm dhe të merr pjesë në punën e seancës të Komisionit të Këshillit, edhe pse nuk është anëtar i komisionit, por pa të drejtë vendosjeje.

Neni 15

          Anëtari i Këshillit i cili me arsye ka munguar në seancat e Këshillit dhe të komisionit anëtar i të cilit është, është i obliguar që për këtë ta njohtojë në kohë kryetarin e Këshillit dhe kryetarin e komisionitsi dhe sekretarin e Komunës.

          Anëtari i Këshillit i cili me arsye një kohë të gjatë nuk ka marrë pjesë në seancat e këshillit dhe të komisionit anëtar i të cilit është, ka të drejtë të kërkojë nga Këshilli t’ia arsyetojë mospraninë në seancat.

          Me kërkesën nga paragrafi 2 i këtij neni, Këshilli vendos pa zhvilluar debat.

c) Kryetari i Këshillit

Neni 16

          Kryetarin e Këshillit e zgjedh Këshilli me votim publik, me shumicë të votave nga numri i përgjithshëm i anëtarëve të Këshillit.

          Propozim për zgjedhjen e kryetarit të Këshillit mund të jep çdo anëtar i Këshillit.

          Zgjedhja e kryetarit të Këshillit mund të bëhet edhe me votim të fshehtë, nëse për një propozim të tillë të ndonjë anëtari të Këshillit, vendos Këshilli me shumicë votash nga anëtarët e pranishëm të Këshillit.

          Procedura për zgjedhjen e kryetarit të Këshillit me votim të fshehtë rregullohet me Rregulloren.

                                                  

d) Mënyra e punës

  Neni 17

          Këshilli punon në seanca të rregullata, kurse sipas nevojës mund të mbajë edhe seanca të jashtëzakonshme.

Neni 18

          Dita, ora dhe vendi i mbajtjes së seancës së rregullt të Këshillit, si dhe propozimi i rendit të ditës sipas të cilit do të punojë seanca, shpallen në tabelën e komunës për shpallje.

          Kryetari i Këshillit mund të vendosë, që dita, ora dhe vendi i mbajtjes së seancës së Këshillit si dhe propozimi i rendit të ditës të shpallen në mjetet e informimit publik.

Neni 19

          Këshilli mban seanca solemne për shënimin e ngjarjeve të rëndësishme historike, kurse mund të mbajë edhe seanca solemne edhe për dëgjimin e fjalimeve të shtetarëve tanë dhe të huaj, përfaqësuesve të organizatave ndërkombëtare dhe të qytetarëve të shquar të shteteve të huaja si mysafir të komunës.

  

Neni 20

          Seanca e jashtëzakonshme thërritet për çështje me rëndësi për sigurinë e qytetarëve dhe në raste rrethanash të jashtëzakonshme.

          Seancën e jashtëzakonshme të Këshillit e thërret kryetari i Këshillit me iniciativën e tij, ose me kërkesën e më së paku një të tretës të anëtarëve të Këshillit ose me propozimin e kryetarit të komunës.

          Ftesa për seancën e jashtëzakonshme bashkë me propozimin e rendit të ditës u dorëzohet anëtarëve të Këshillit në një afat të mundshëm sa më të shkurt.

        Para fillimit të punës së seancës, anëtarët e Këshillit votojnë për arsyen e shkaqeve për thërritjen e seancës së jashtëzakonshme pa debat dhe me shumicë të anëtarëve të pranishëm në Këshill.

  

Neni 21

          Në rast pengimi apo mosprezencës së kryetarit të Këshillit, seancat i kryeson anëtari më i vjetër i Këshillit.

Neni 22

          Këshilli mund të vendos me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i anëtarëve të Këshillit, që votimi për disa çështje të bëhet në mënyrë të fshehtë.

Neni 23

          Thërritja e seancave të Këshillit, përcaktimi i rendit të ditës, rrjedha e seancës, proçesverbalet, procedura e nxjerrjes së akteve dhe për çështje të tjera lidhur me punën e Këshillit, më së përsëafërmi rregullohen me Rregullore.

1.     Kryetari i komunës

Neni 24

          Kryetari i komunës i kryen kompetencat e veta në suazat e përcaktuara me ligj dhe me këtë Statut.

Neni 25

          Kryetari i komunës është i pranishëm dhe merr pjesë në punën e seancave të Këshillit kurse sipas nevojës edhe në seancat

e komisioneve të Këshillit dhe të trupave të posaçëme të komunës pa të drejtë vendosjeje.

          Kryetari i komunës mund të caktojë edhe përfaqësues të vet të cilët do të jenë të pranishëm dhe të marrin pjesë në punën e seancave të Këshillit, të komisioneve të tij dhe të trupave punuese të komunës.

  

Neni 26

          Kryetari i komunës me iniciativën e vet dhe këreksën e Këshillit e informon Këshillin për disa punë nga kompetencat e tij.

Neni 27

          Kryetari i komunës siguron shfrytëzimin e drejtë dhe të ligjshëm, mirëmbajtjen dhe mbrojtjen e pronës së komunës.

          Kryetari i komunës udhëheq me pronën e komunës në interes publik dhe si nikoqir i mirë.

       Kryetari i komunës është i obliguar që në udhëheqjen me pronën e komunës, të ndërmerr masa dhe ta siguron shfrytëzimin, mirëmbajtjen dhe mbrojtjen e pronës së komunës në pajtueshmëri me ligjin.

Neni 28

          Kryetari i komunës bashkëpunon me kryetarët e komunave tjera për çështje me interes të përbashkët dhe në kompetencat e komunave.

Neni 29

          Kryetari i komunës me vendim përcakton anëtar të Këshillit i cili do ta zëvendësojë gjatë kohës kur ai është i penguar që të jetë i pranishëm.
Vendimin nga paragrafi 1 i këtij neni Kryetari i komunës e nxjerr në afat prej 30 ditësh nga dita e marrjes së funksionit.

          Vendimi i paragrafit 1 të këtij neni shpallet në “Gazetën zyrtare të Komunës së Gostivarit “.

          Për paraqitjen e pengesës apo mosprezencës, Kryetari i komunës e informon kryetarin e Këshillit dhe anëtarin e Këshillit i cili do ta zëvendësojë.

2.Trupa të posaçme të komunës

а) Komisioni për marrëdhënie midis bashkësive

  

Neni 30

          Në komunë formohet Komisioni për marrëdhënie midis bashkësive (në tekstin e mëtutjeshëm: Komision).

          Komisionin e përbëjnë nga (1) një përfaqësues i bashkësive të përfshirë në komunë, me mandat prej 4 (katër) vjetë.

          Anëtarët e komisionit nuk mund të zgjedhen nga radhët e anëtarëve të Këshillit.

Neni 31

          Vendim për formimin e Komisionit merr Këshilli, me propozim të komisionit për çështjet e verifikimit, zgjedhjeve dhe emërimeve.

          Komisioni për çështjet e verifikimit, zgjedhjeve dhe emërimeve e formulon propozimin nga paragrafi 1 i këtij neni në bazë të propozimeve të marra paraprakisht nga partitë politike të përfshira në Këshill.

                                                   

Neni 32

          Komisioni nga radhët e anëtarëve të vet zgjedh kryetarin me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i anëtarëve të Komisionit, me votim të fshehtë.

Neni 33

          Komisioni punon në seanca.

          Seancat i thërret dhe ato i udhëheq kryetari i komisionit.

          Komisioni mund të punojë nëse në seancë janë të pranishëm shumica nga numri i përgjithshëm i anëtarëve të komisionit.

          Komisioni vendos me shumicë nga numri i përgjithshëm i anëtarëve të komisionit.

          Në seancat e Komisionit mund të jenë të pranishëm dhe të marrin pjesë në debat: kryetari i komunës dhe kryetari i Këshillit, pa të drejtë vendosjeje.

b)Këshilli për mbrojtjen e shpenzuesve

Neni 34

          Në komunë formohet Këshilli për mbrojtjen e shpenzuesve.

          Këshilli për mbrojtjen e shpenzuesve është i përbërë nga 10 anëtarë, përfaqësues të grupeve më të mëdha të shfrytëzuesve të shërbimeve publike të komunave.

          Anëtarët e Këshillit për mbrojtjen e shpenzuesve nuk mund të zgjedhen nga radhët e anëtarëve të Këshillit të komunës.

Neni 35

          Vendim për formimin e Këshillit për mbrojtjen e shpenzuesve merr Këshilli i   komunës  me propozimin  e    Komisionit për

çështjet e verifikimit, zgjedhje dhe emërime.

      Komisioni për çështjet e verifikimit, zgjedhje dhe emërime e formulon propozimin nga paragrafi 1 i këtij neni sipas propozimeve të marra paraprakisht nga format e vetvendosjes vendore në Komunë.

Neni 36

          Këshilli për mbrojtjen e shpenzuesve nga radhët e anëtarëve të vet zgjedh kryetarin, me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i anëtarëve të Këshillit për mbrojtjen e shpenzuesve, me votim të fshehtë.

Neni 37

          Këshilli për mbrojtjen e shpenzuesve punon në seanca.

          Seancat sipas rregullës janë publike (të hapura).

          Seancat i thërret dhe me to udhëheq kryetari i Këshillit për mbrojtjen e shpenzuesve.

      Këshilli për mbrojtjen e shpenzuesve mundet të punojë nëse në seancë janë të pranishëm shumica nga numri i përgjithshëm i anëtarëve të Këshillit për mbrojtjen e shpenzuesve.

          Këshilli për mbrojtjen e shpenzuesve vendosë me shumicë nga numri i përgjithshëm i anëtarëve të Këshillit për mbrojtjen e shpenzuesve.

       Në seancat e Këshillit për mbrojtjen e shpenzuesve mund të jenë të pranishëm dhe në punën e tyre mund të marrin pjesë, Kryetari i komunës dhe kryetari i Këshillit të komunës, pa të drejtë vendosjeje.

Neni 38

          Këshilli për mbrojtjen e shpenzuesve shqyrton çështje dhe përcakton propozime që kanë të bëjnë me cilësinë e shërbimeve që ofrojnë shërbime publike të komunës, kurse posaçërisht:

–         përcjell gjendjen e dhënies së shërbimeve nga ana e shërbimeve publike;

–         kujdeset për zgjidhjen e problemeve që i kanë qytetarët gjatë shfrytëzimit të shërbimeve nga ndërmarrjet dhe institutet që kryejnë shërbime publike;

–         kujdeset për përparimin e sjelljes së të të punësuarve te dhënësit e shërbimeve ndaj shfrytëzuesve të shërbimeve;

–         organizon tribuna publike dhe forma tjera të pjesëmarrjes së qytetarëve në të cilat do të debatohet për përparimin dhe mbrojtjen e shpenzuesve.

c) Trupi participues nga sfera e urbanizmit

Neni 39

          Në komunë formohet trup participues nga sfera e urbanizmit (këshill) për të përcjellur qëndrimet dhe mendimet e qytetarëve dhe subjekteve juridikë në procesin e planifikimit urbanistik, si dhe për të përcjellë gjendjet dhe dhënien e iniciativave, orientimeve dhe sugjerimeve në procesin e planifikimit dhe përgatitjes së vendimeve planore për komunën.

          Trupi participues nga sfera e urbaizmit përbëhet nga pesë anëtarë.

Neni 40

          Vendim për formimin e trupit participues nga sfera e urbanizmit merr Këshilli, me propozim të komisionit për çështje të verifikimit, zgjedhjeve dhe emërimeve.

          Anëtarët e trupit participues nga sfera e urbanizmit zgjedhen:

–         nga radhët e anëtarëve të Këshillit;

–         me propozimin e formave të vetvendosjes vendore;

–         me propozimin e shoqatave të qytetarëve;

–         shoqatave të personave profesionalë nga sfera e urbanizmit, dhe

–         nga administrata komunale.

Neni 41

          Trupi participues nga sfera e urbanizmit nga radhët e anëtarëve të vet, zgjedh kryetarin, me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i anëtarëve të trupit participues, me votim publik.

Neni 42

          Trupi participues nga sfera e urbanizmit punon në seanca.

          Seancat janë publike.

          Seancat i thërret dhe i udhëheq kryetari i Trupit participues nga sfera e urbanizmit.

          Trupi participues nga sfera e urbanizmit mund të punojë nëse në seancë merr pjesë shumica nga numri i përgjithshëm i anëtarëve.

          Trupi participues nga sfera e urbanizmit vendos me shumicë nga numri i përgjithshëm i anëtarëve.

          Në seanca mund të jenë të pranishëm dhe të marrin pjesë në punën e tyre, kryetari i komunës dhe kryetari i Këshillit, pa të drejtë vendosjeje.

III. Organizimi dhe puna e komisioneve të Këshillit të Komunës

1. Komisionet e Këshillit

Neni 43

          Këshilli i formon këto komisione të përhershme:

–         Komisionin për çështje të verifikimit, zgjedhje dhe emërime,

–         Komisionin për financa dhe zhvillim ekonomik vendor,

–         Komisionin për planifikimin dhe rregullimin e hapësirës dhe mbrojtjen e ambientit jetësor e të natyrës,

–         Komisionin për punë komunale dhe komunikacion,

–         Komisionin për veprimtari publike,

–         Komisioni për çështje normativo-juridike dhe

–         Komisioni për barazi gjinore.

Fushëveprimi i komisioneve nga paragrafi 1 i këtij neni përcaktohet me rregullohen e Këshillit.

Këshilli mund të formojë edhe komisione tjera të përhershme dhe të përkohshme, përbërja dhe fushëveprimi i të cilave përcaktohet me aktin për formimin e tyre.

2.Përbërja, zgjedhja dhe mënyra e punës së komisioneve

Neni 44

          Komisionet e Këshillit përbëhen nga kryetari dhe minimum 2 anëtarë.

Neni 45

          Zgjedhja e kryetarit dhe anëtarit të komisionit të Këshillit bëhet me propozimin e komisionit për çështje të verifikimit, zgjedhje dhe emërime.

          Komisioni për çështje të verifikimit, zgjedhje dhe emërime e jep propozimin nga paragrafi 1 i këtij neni në bazë të propozimeve të paraqitura paraprakisht të partive politike të përfshira në Këshill, me ç’rast mban llogari për zbatimin e parimit të përfshirjes së tyre proporcionale në komisionet, duke pasur parasysh numrin e përgjithshëm të komisioneve të Këshillit.

          Zgjedhja e kryetarit dhe anëtarëve të komisionit bëhet me shumicën nga anëtarët e pranishëm të Këshillit.

Neni 46

          Propozim për shkarkimin e kryetarit dhe të anëtarëvet të komisionit mund të jep komisioni, komisioni për çështjet e verifikimit, zgjedhje dhe emërime, më së paku 3 (tre) anëtarë të Këshillit dhe kryetari i Këshillit.

          Në bazë të propozimit për shkarkim vendos Këshilli, me vota publike, me shumicën e anëtarëve të pranishëm në Këshill.

Neni 47

          Zgjedhje për shkak të ndërrimit të ndonjë anëtari të komisionit bëhet me propozimin e Komisionit për çështjet e
verifikimit, zgjedhje dhe emërime, me ç’rast nuk mundet të cënohet parimi i përfshirjes proporcionale të partive në komisionet.

Neni 48

          Komisioni punon në seanca.

          Rendi i ditës së seancave të komisionit përcaktohet në fillim të seancës.

Neni 49

          Komisioni mund të punojë nëse në seancë janë të pranishëm shumica e anëtarëve të komisionit.

          Komisioni vendos me shumicë votash nga anëtarët e pranishëm.

Neni 50

          Nëse Komisioni vendos t’i paraqesë raport apo propozim Këshillit, përcakton raportuesin e vet, i cili me direktivat e Komisionit, me iniciativën e vet apo me kërkesën e Këshillit në seancën e Këshillit do ta argumentojë qëndrimin apo propozimin e komisionit.

Neni 51

          Në seancën e komisionit në mënyrë të obligueshme merr pjesë edhe një përfaqësues i propozuesit të materialit që shqyrtohet.

          Përfaqësuesi i propozuesit ka të drejtë që në seancën e komisionit të merr pjesë në shqyrtimin e propozimit që e ka dhënë.

Neni 52

          Komisioni ka të drejtë nga propozuesi të kërkojë sqarim si dhe të dhëna të tjera që i nevojiten për punë, e të cilat i posedon propozuesi apo është i obliguar t’i grumbullojë apo evidentojë.

Neni 53

          Në seancat e komisionit mund të jenë të pranishëm dhe të marrin pjesë në punën e tyre përfaqësues të organeve, organizatave, bashkësive dhe shoqatave, si dhe punonjës të tjerë shkencorë, profesionalë dhe publikë, ashtu që t’i paraqesin mendimet e tyre lidhur me çështjet që shqyrtohen në seancën e komisionit.

          Thirrje personave nga paragrafi 1 u dërgon kryetari në bazë të konsultimeve paraprake me anëtarët e komisionit.

IV. Kryerja e punëve sipas parimit të subsidiaritetit

Neni 54

          Komuna në suazat e ligjit, në pajtueshmëri me parimin e subsidiaritetit, ka të drejtë që në rajonin e vet të zbatojë iniciativa lidhur me të gjitha çështjet me rëndësi për Komunën, që nuk janë të përjashtuara nga kompetencat e saj ose që nuk janë në kompetencat e organeve të pushtetit shtetëror.

            Përcaktimi i punëve nga paragrafi 1 i këtij neni, definimi i përmbajtjes së tyre, mënyra dhe procedura e kryerjes së tyre, rregullohen me vendime të posaçme të Këshillit, me propozimin e kryetarit të komunës.

Neni 55

          Komuna mund të ndajë shpërblime.

          Shpërblimet ndahen në shenjë mirënjohjeje për rezultatet e arritura që paraqesin kontribut të posaçëm për zhvillimin e Komunës dhe të përparimit të saj të gjithmbarshëm si dhe për afirmimin në sferën e zhvillimit ekonomik, shkencor, artistik, kulturor, arsimor, atë të mbrojtjes shëndetësore, të mbrojtjes sociale, sportit, mbrojtjes dhe përparimit të ambientit jetësor dhe të natyrës si dhe në sfera të tjera.

  Neni 56

          Shpërblimi mund t’u ndahet subjekteve fizike dhe juridike nga  Komuna, Republika dhe shtete të tjera, si dhe organizatave ndërkombëtare dhe asociacioneve apo përfaqësuesve të tyre.

Neni 57

          Këshilli formon këshill për ndarjen e shëprblimit.

          Puna e këshillit rregullohet për së afërmi me vendimin e Këshillit të komunës.

          Mjetet për shpërblim dhe për punën e këshillit sigurohen nga buxheti i komunës dhe nga burime tjera hyrëse.

Neni 58

          Komuna mund të konstatojë edhe shpërblime dhe mirënjohje të tjera.

                                                  

V. Informimi i qytetarëve dhe qasja e lirë në informatat me karakter publik

a)    Informimi i qytetarëve

Neni 59

          Organet e Komunës, komisionet e Këshillit të komunës dhe ndërmarrjet dhe institutet publike të themeluara nga Komuna i informojnë qytetarët me vendimet dhe aktivitetet e veta që janë me rëndësi të drejtpërdrejtë për jetën dhe punën e qytetarëve në Komunë dhe me informata tjera me interes publik.

          Qytetarët informohen për:

–         rregullat që i nxjerr Këshilli i Komunës;

–         mënyrën dhe kushtet për realizimin e të drejtave të tyre;

–         obligimet e qytetarëve që dalin nga kompetencat e Komunës;

–         planet, projektet dhe programet që janë në përgatitje të sipër kurse janë me rëndësi për zhvillimin e Komunës;

–         shërbimet që i marrin nga shërbimet publike dhe administrata e qytetit dhe me mënyrën e marrjes së tyre;

–         të ardhurat që realizohen në Komunë dhe mënyrën e shpërndarjes dhe shpenzimit të tyre;

–         furnizimet publike;

–         emërimin e drejtorëve dhe përfaqësuesve në këshillat drejtuese  të ndërmarrjeve dhe instituteve publike;

–         si dhe informata të tjera që dalin nga kompetencat e organeve të Komunës dhe të ndërmarrjeve e instituteve publike në pajtueshmëri me ligjin.

Neni 60

          Informimi i qytetarëve bëhet në mënyrë të rregullt, pa kompenzim përmes:

–         botimit të gazetës zyrtare të Komunës;

–         botimit dhe distribuimit deri te qytetarët të buletineve mujore informative;

–         botimit të publikimeve;

–         të zyrave informative të udhëhequra nga administrata komunale dhe shërbimet publike të themeluara nga Komuna;

–         të tabelave të shpalljes (në hapësirat e komunës të ndërmarrjeve dhe instituteve publike dhe të vetvendosjes vendore);

–         veb sajteve (web sites);

–         tribunave publike;

–         mjeteve të informimit; dhe

–         mënyrave tjera adekuate më të volitshme për informimin e opinionit.

Neni 61

          Informimi i qytetarëve bëhet në gjuhët zyrtare që përdoren në Komunë.

    Këshilli i Komunës me vendim të posaçëm mund të caktojë që për disa informata, informimi të bëhet edhe në gjuhën që nuk është gjuhë zyrtare në
Komunë e që atë e flasin një pjesë e banorëve të Komunës.

b)    Qasja e lirë në informatat me karakter publik

  

Neni 62

          Në Komunë sigurohet e drejta e qasjes së lirë në informatat me karakter publik me të cilat posedojnë organet e Komunës (Këshilli dhe kryetari i Komunës), ndërmarrjet dhe institutet publike të themeluara nga Komuna si dhe subjekte juridike dhe fizike që kanë kompetenca publike të besuara nga komuna (në tekstin e mëtutjeshëm poseduesit e informatave).

          Me përjashtim në raste të përcaktuara me ligj, e drejta e qasjes së lirë në disa informata të cilat i posedojnë poseduesit e informatave nga paragrafi 1 i këtij neni, mund të jetë e kufizuar ose të sigurojë qasje të pjesërishme.

Neni 63

          Për informatat të cilat i posedon dhe ndaj të cilave sigurohet qasje e lirë, poseduesit e informatave formojnë dhe udhëheqin listën e informatave e cila shpallet në mënyrë të kapshme për kërkuesit e informatave.

          Për listën e informatave dhe për kushtet dhe mënyrën e qasjes së lirë në informatat, qytetarët informohen përmes tabelës së shpalljes ose në mënyrë tjetër të volitshme.

          Poseduesit e informatave janë të obliguar rregullisht çdo tre muaj ta azhurojnë listën e informatave me karakter publik të cilat i posedojnë.

          Listën e informatave me karakter publik për organet e Komunës, e propozon Kryetari i Komunës kurse e përcakton Këshilli.

          Listën e informatave me karakter publik për ndërmarrjet dhe institutet publike të themeluara nga Komuna e përcakton Këshilli drejtues me propozimin e drejtorit.

Neni 64

          Procedura për realizimin e të drejtës së qasjes së lirë në informatat realizohet në pajtueshmëri me ligjin.

        Kryetari i Komunës krijon kushte dhe ndërmerr masat e parapara me ligj, për realizimin e të drejtës së qasjes së lirë në informatat me karakter publik të cilat i posedojnë Këshilli dhe administrata e Komunës.

        Drejtori i ndërmarrjes dhe institutit publik të themeluar nga Komuna, krijon kushte dhe ndërmerr masa që i parasheh ligji, për realizimin e të drejtës së qasjes së lirë në informatat me karakter publik të cilat i posedon në pajtueshmëri me statutin e ndërmarrjes dhe institutit.

Neni 65

          Qasje të lirë në informatat me karakter publik me të cilat disponon poseduesi i informatave, kanë të gjithë subjektet juridike dhe fizike (në tekstin e mëtutjeshëm: kërkuesi i informatave).

          Qasja e lirë në informatat realizohet në afatin e caktuar ligjor:

–         me shiqimin e dokumenteve të cilat i posedon poseduesi i informatave;

–         me marrjen e duplikatit, fotokopjes apo shënimit elektronik nga dokumentet të cilat i posedon poseduesi i informatave.

Poseduesi i informatave për ndërmjetësim gjatë realizimit të së drejtës së qasjes së lirë në informatat, cakton një person zyrtar.

Neni 66

Kërkuesi i informatave për shiqimin e kryer apo duplikatin e marrë, fotokopjen nga shënimi elektronik i informatës, paguan një kompenzim adekuat në lartësi të shpenzimeve materiale, të përcaktuara në mënyrën e rregulluar me ligj.

Kërkuesi i informatës gjatë paraqitjes së kërkesës, informohet për pagimin e lartësisë së kompenzimit gjegjës.

  Neni 67

Kërkuesi i informatës ka të drejtë ankese në organin kompetent për mbrojtjen e të drejtës së qasjes së lirë në informatat e karakterit publik nëse poseduesi i informatës nuk ia jep informatën e kërkuar.

  

Neni 68

Këshilli i Komunës miraton raportin vjetor për realizimin e të drejtës së qasjes së lirë në informatat për vitin e kaluar në Komunë.

Raportin vjetor për realizimin e qasjes së lirë në informatat e përgatit Kryetari i Komunës, i cili ia dërgon Këshillit, më së voni deri më 31 janar në vitin rjedhës.

Raporti nga paragrafi 1 i këtij neni i përmban të dhënat për qasjen e lirë të realizuar në informatat me të cilat posedojnë edhe shërbimet publike të cilat i formon Komuna.

Raporti nga paragrafi 1 pas miratimit i dërgohet organit kompetent për mbrojtjen e të drejtës së qasjes së lirë në informatat me karakter publik.

  

VI. Përjashtimi i opinionit nga seancat e Këshillit

Neni 69

          Këshilli mund të punojë pa praninë e opinonit vetëm në raste të caktuara me ligj dhe me këtë statut si dhe kur atë do ta propozojnë Kryetari i Komunës, kryetari i Këshillit ose më së paku 3 (tre) anëtarë të Këshillit.

          Përjashtimi i opinionit mund të kërkohet, kur çështja për të cilën diskutohet, ka pika prekëse me moralin publik; kur mund t’i rrezikojë interesat e një personi të caktuar apo të ketë pika prekëse me mbrojtjen dhe sigurinë e qytetarëve.

          Sipas propozimit nga paragrafi 1 i këtij neni, Këshilli vendos pa debat, me shumicën e dy të tretave të votave nga numri i përgjithshëm i anëtarëve të Këshillit.

VII. Parashtresa dhe propozime

Neni 70

          Subjektet fizike dhe juridike kanë të drejtë të paraqesin parashtresa dhe propozime që kanë të bëjnë me punën e organeve dhe administratën e komunës.

Neni 71

          Parashtresat dhe propozimet paraqiten në formë të shkruar apo gojorisht në proçesverbal para personit të autorizuar administrativ.

          Për parashtresat dhe propozimet nuk paguhet tatim.

Neni 72

          Paraqitësi nuk guxon të përjetojë pasoja të dëmshme për shkak të paraqitjes së parashtresës apo propozimit e as që mund të thërritet në përgjegjësi për atë gjë.

Neni 73

          Kryetari i Komunës, varësisht nga përmbajtja e parashtresës gjegjësisht e propozimeve, autorizon një apo disa nëpunës të veprojnë lidhur me parashtresën gjegjësisht propozimin.

          Veprimi lidhur me parashtresën gjegjësisht propozimin, përfshin grumbullimin e të dhënave, informatave dhe mendimeve për rrethanat që janë me rëndësi për vlerësimin e drejtë të bazës së parashtresës ose për arsyeshmërinë e propozimit, si dhe ndërmarrjen e masave të nevojshme për evitimin e cënimit eventual të së drejtës së paraqitësit apo të cënimit të interesit publik.

Neni 74

          Kryetari i Komunës është i obliguar që në afat sa më të shkurtë që mundet, kurse më së voni në afat prej 60 ditësh nga dita e marrjes së parashtresës gjegjësisht propozimit, paraqitësit t’i jep përgjigje.

VIII. Tribuna publike, anketa dhe propozime të qytetarëve

Neni 75

          Organet e komunës për shkak të përcaktimit të politikës në një sferë të caktuar, marrjes së masave për zgjidhjen e çështjeve dhe problemeve me rëndësi për qytetarët nga rajoni i Komunës, si dhe gjatë propozimit të akteve të caktuara nga kompetencat e veta mund të organizojnë tribunë publike, të bëjnë anketa apo të grumbullojnë propozime nga qytetarët.

          Lloji, procedura, mënyra dhe koha e organizimit të formave të pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë të qytetarëve nga paragrafi 1 i këtij neni, rregullohet me akt të organit që e organizon.

          Për organizimin e tribunave publike, zbatimin e anketave dhe marrjen e propozimeve të qytetarëve, shpallet kumtesë në mjetet e informimit publik, në të cilën shënohet lloji, qëllimi, lënda dhe të dhënat tjera të rëndësishme për organizimin e formës adekuate të pjesëmarrjes së drejtpërdrejt të qytetarëve dhe thërriten të interesuarit të marrin pjesë në to.

        Organizimi i tribunave publike, realizimi i anketave dhe marrja e propozimeve nga qytetarët, mund të bëhet në bashkëpunim me komunat tjera dhe me format e vetvendosjes vendore.

          Për tribunat publike, anketat apo propozimet e qytetarëve përgatitet raport.

Neni 76

          Gjatë organizimit të tribunave, zbatimit të anketave apo grumbullimit të propozimeve nga qytetarët sigurohet:

–   teksti i dokumentit apo projekti i vedimit dhe akt tjetër i përgjithshëm i shpallur në mënyrë tw vwrtetuar me ligj që të kenë qasje qytetarët dhe subjektet tjerë të interesuar;

–     marrjen dhe shqyrtimin e mendimeve dhe propozimeve të dhëna dhe

–   përgatitjen e raportit.

Neni 77

          Mënyra dhe procedura e organizimit të tribunës publike, zbatimit të anketës dhe grumbullimit të propozimeve të qytetarëve, rregullohen me Rregulloren.

IX. Kryerja e obligimeve nga sfera e mbrojtjes në gjendje lufte

  

Neni 78

          Në gjendje lufte, organet e Komunës:

–         vazhdojnë t’i kryejnë punët e përcaktuara me ligj, dhe

–         ndërmarrin masa për mbrojtjen dhe shpëtimin e qytetarëve dhe të begative materiale në rajonin e vet nga shkatërrimet luftarake, fatkeqësitë elementare natyrore dhe fatkeqësitë tjera si dhe nga pasojat e shkaktuara prej tyre.

Komuna përgatitet për kryerjen e obligimeve nga paragrafi 1 i këtij neni përmes:

–         planifikimit dhe organizimit të masave për mbrojtjen dhe shpëtimin për nevojat e veta;

–         formimit të njësive të shtabeve të mbrojtjes civile, në pajtueshmëri me ligjin dhe rregullat të themeluara me ligj;

–       stërvitjes për mbrojtje, gjegjësisht kyçjes në aktivitetet për fitimin e njohurive të domosdoshme luftarako-profesionale dhe të njohurive tjera për pjesëmarrje në mbrojtje;

–     ndërmarrjes së masave, aktiviteteve dhe veprimeve tjera për mbrojtjen dhe ruajtjen e fshehtësisë të të dhënave, informatave dhe dokumenteve nga sfera e mbrojtjes, në pajtueshmëri me ligjin dhe rregullat e themeluara me ligj;

–         koordinimit dhe bashkëpunimit me komunat tjera.

X. Mënyra e shpalljes së rregullave të Këshillit

Neni 79

          Rregullat e Këshillit shpallen në Gazetën zyrtare të Komunës para se të hynë në fuqi.

          Gazeta zyrtare e komunës është “Gazeta zyrtare e Komunës së Gostivarit”.

          Në mjetin informativ zyrtar të Komunës mund të shpallen edhe rregulla të komunave tjera.

Neni 80

          Rregullat e Këshillit hynë në fuqi ditën e tetë nga e dita e shpalljes në “Gazetën zyrtare të Komunës” kurse me përjashtim të cilin e përcakton Këshilli, më parë se ditën e shpalljes.

           Rregullat e Këshillit mund të hynë në fuqi edhe në afat më të shkurtër se tetë ditë nëse:

–         shkaqet për të cilat propozohet nxjerrja e rregullave dhe qëllimet që dëshirohet të arrihen me nxjerrjen e tyre janë të karakterit urgjent dhe të pashtyeshëm;

–         nuk krijojnë obligime materiale për qytetarët dhe subjekteve juridike;

–         çështjet që rregullohen janë nga sfera e mbrojtjes dhe shpëtimit e të ngjashme;

–         atë i imponojnë parimet e racionalitetit, efikasitetit, ekonomizimit, operativititetit e të ngjashme.

XI. Vetvendosja vendore

Neni 81

          Qytetarët e komunës vendosin për punët me rëndësi të drejtpërdrejtë dhe të përditshme të jetës dhe punës së tyre edhe përmes formave të vetvendosjes vendore të cilat mund ti themelojnë në pajtueshmëri me këtë Statut.

          Neni 82

        Në territorin e Komunës së Gostivarit, mundet të themelohen: Bashkësi urbane dhe Bashkësi lokale.

        Bashkësitë Urbane (BU) themelohen në vendbanime të urbanizuara për teritorin e përkufizueshëm me Planin Detaj Urbanistik , si dhe kriteriumeve gjejgëse infrastrukturale.

        Bashkësitë Lokale (BL) themelohen nëpër vendbanime rurale aktive.

Neni 83

          Në territorin e Gostivarit dhe lagjeve periferike gravituese, themelohen 8 (tetë) Bashkësi urbane, të numërizuara me numra rreshtor (I – VIII) filluar nga qendra e qytetit drejt lindjes, jugut, perëndimit dhe veriut (drejt lëvizjes së akrepave të orës), siç vijon:

1.  Bashkësia urbane I: shtrihet në hapësirën qendrore të përkufizuar në lindje me vijën hekurudhore, në jug me lumin Vardar, në perëndim me bul.”Goce Dellçev”.

            2.  Bashkësia urbane II: shtihet përgjatë  anës lindore të hеkurudhës deri në kufinjtë periferike me vendbanimet rurale.

            3.  Bashkësia urbane III: shtrihet në anën jugore të qytetit, përkufizuar me vijën hekurudhore, lumin Vardar dhe bul.”Braqa Gjinoski” deri në kufinjtë periferik urban.

         4.  Bashkësia urbane IV: shtrihet në anën jugore-perëndimore të qytetit, filluar nga bul.”Braqa Gjinoski”, përgjatë rrjedhës së sipërme të lumit Vardar, deri në kufinjtë periferik urban me to rural.

           5. Bashkësia urbane V: shtrihet në anën veriore të BU – IV, përgjatë lumit Vardar, në lindje përkufizuar me bul.”Braqa Gjinoski”, kurse në anën veriore përgjatë rr. “18 Nëntori”, e “APJ”, deri në autostradë.

            6.Bashkësia urbane VI: shtrihet në kufirin verior  të BU  -V kah lindja përgjatë bul.”Braqa Gjinoski”, deri në autostradë.

            7. Bashkësia urbane VII: shtrihet në lindje të BU-VI dhe në veri të BU-I, deri te vija hekurrudhore dhe autostrada.

            8. Bashkësia urbane VIII: shtrihet në veri-perëndim të autostradës deri në kufinjtë e vendbanimeve rurale.

Neni 84

          Iniciativë për themelimin e formave të vetvendosjes vendore mund të ngrejnë më së paku 10 % të qytetarëve, banorë të rajonit në të cilin ka interes për themelimin e ndonjë forme të vetvendosjes vendore.

  Neni 85

          Iniciativa për themelim përmban: paraqitësin, përshkrimin e rajonit për të cilin kërkohet themelimi i formës së vetvendosjes vendore, sqarimi i nevojave për themelim dhe nënshkrimin e qytetarëve të interesuar.

“Këshilli i Komunës jep Pëlqim ose me Konkluzion e refuzon iniciativën. Vendim për themelimin e Bashkësivе urbane apo lokale, merret në Tubim të qytetarëve me vendbanim të perhershëm në të, me aklamacion nga shumica e të pranishëmve në tubim.”

  Neni 86

          Vendimi për themelimin e formës së vetvendosjes vendore merret në tubimin e qytetarëve në rajonin përkatës përmes votimit publik me shumicën e votave nga qytetarët e pranishëm.

          Tubimin e qytetarëve nga paragrafi i mëparshëm i këtij neni, e thërret kryetari i Komunës, në afat prej 15 ditësh nga dita e marrjes së vendimit.

        

Neni 87

          Qytetarët përmes formave të vetvendosjes vendore, në pajtueshmëri me këtë Statut dhe vendimet për themelim kujdesen për:

–         zgjidhjen e çështjeve nga infrastruktura komunale për rajonin gjegjës;

–         mirëmbajtjen e objekteve me interes publik (ujësjellës, rrugë, pallate të kulturës, objekte sportive etj.);

–         mbrojtjen e ambientit jetësor dhe natyrës;

–         rregullimin dhe mirëmbajtjen e varrezave në vendbanimeve fshatare;

–         ngritjen e iniciativës për rregullimin e hapësirës;

–         organizimin e manifestimeve kulturore, sportive, argëtuese e të tjera; dhe

–         punë të tjera me rëndësi të drejtpërdrejtë përditshme për jetën dhe punën e qytetarëve.

          Këshilli për format e vetvendosjes vendore jep iniciativa dhe propozime në organet kompetente të komunës për çështje nga sfera e arsimit, shendetësisë, mbrojtjes
sociale dhe çështje të tjera me interes për qytetarët.

Neni 88

          Punët nga neni 82 i këtij Statuti financohen nga:

–         mjetet që komuna do t’ua ndajë formave të vetvendosjes vendore në pajtueshmëri me planet dhe programet për zhvillimin e tyre;

–         mjetet që qytetarët i bashkojnë drejtpërdrejt;

–         mjetet që do ti ndajnë subjektet e interesuara juridike dhe fizike;

–         mjetet nga kompenzimi i shërbimeve; dhe

–         dhuratat dhe mjetet tjera.

Mbledhja dhe shpenzimi i mjeteve nga paragrafi 1 kryhet përmes buxhetit të Komunës.

Neni 89

Organ i formave të vetvendosjes vendore është Këshilli.

Këshillin e formave të vetvendosjes vendore e zgjedhin qytetarët në formën e vetvendosjes vendore në tubimin e qytetarëve me vota publike, nëse tubimi nuk vendos që votimi të jetë i fshehtë.

 Këshilli i formave të vetvendosjes vendore përbëhet nga 3 (tre) deri 7 (shtatë) anëtarë.

 Mandati i anëtarëve të Këshillit të vetvendosjes vendore zgjatë 4 (katër) vjet.

Neni 90

Vendim për shpalljen e zgjedhjeve të anëtarëve të Këshillit të formave të vetvendosjes vendore paraqet Këshilli në përbërjen e vjetër, më së voni 30 ditë para skadimit të afatit.

Nëse vendimi nga paragrafi 1 i këtij neni nuk merret në afatin e përcaktuar, vendim për shpalljen e zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit në formën e vetvendosjes vendore, merr Tubimi i qytetarëve.

Neni 91

Propozimi dhe përcaktimi i kandidatëve për anëtarë të Këshillit të formave të vetvendosjes vendore, bëhet në Tubimin e qytetarëve, nëse në të marrin pjesë më së paku 10% të qytetarëve banorë të bashkësisë gjegjëse vendore.

Të përcaktuar konsiderohen kandidatët të cilët kanë fituar shumicë gjegjësisht numrin më të madh të votave nga qytetarët e pranishëm në tubim.

Neni 92

Procedura për propozimin, përcaktimin dhe zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të formave të vetvendosjes vendore rregullohet për së afërmi me rregullat për punën e formës të vetvendosjes vendore të marra nga Këshilli i Komunës.

Neni 93

Për anëtarë të zgjedhur të Këshillit të formave të vetvendosjes vendore konsiderohen kandidatët që kanë fituar shumicë gjegjësisht numër më të madh votash nga zgjedhësit që kanë votuar.

                                                  

Neni 94

Këshilli i formave të vetvendosjes vendore zgjedh, nga radhët e anëtarëve të vet, kryetarin i cili e përfaqëson dhe prezenton formën e vetvendosjes vendore.

Neni 95

Kryetari i Komunës me vendim mund të delegojë kryerjen e një pune të caktuar me interes të drejtpërdrejtë dhe me rëndësi ordinare për jetën dhe punën e banorëve me pajtueshmërinë paraprake të kryetarit të Këshillit të formës së vetvendosjes vendore.

Mjetet e nevojshme për kryerjen e punëve nga paragrafi 1 i këtij neni përcaktohen me vendimin për delegimin e kompetencave.

Me këtë Aktvendim përcaktohet organi dhe mënyra e kryerjes së mbikqyrjes mbi kryerjen e punëve nga paragrafi 1 i këtij neni.

Neni 96

Administrata komunale i kryen punët profesionale, administrative-teknike dhe punët e kontabilitetit dhe të financave të organit në formën e vetvendosjes vendore.

Kontrollin mbi shpenzimin e mjeteve që do të akordohen për kryerjen e kompetencave të deleguara e bën administrata komunale.

Neni 97

Komuna mban evidencën e formave të vetvendosjes vendore të themeluara në rajonin e saj.

XII. Ndryshimi dhe plotësimi i Statutit

Neni 98

          Iniciativë për ndryshimin dhe plotësimin e Statutit të Komunës mund të paraqesë një anëtar i Këshillit, komisioni i Këshillit apo subjektet tjera.

          Për iniciativën për ndryshimin dhe plotësimin e Statutit vendos Këshilli.

Neni 99

          Pas pranimit të iniciativës për ndryshimin dhe plotësimin e Statutit, kryetari i Komunës përgatit propozim për vendim statutar për ndryshimin dhe plotësimin e Statutit.

XIII. Dispozita kalimtare dhe përfundimtare

Neni 100

          Poseduesit e informatave nga neni 57 i këtij Statuti janë të obliguar në afat prej gjashtë muaj nga dita e nxjerrjes së këtij statuti, të nxjerrin dhe shpallin listën e informatave nga neni 58 i këtij statuti.

Neni 101

          Kryetari i komunës në afat prej tre muaj nga dita e nxjerrjes së këtij statuti, në pajtueshmëri me aktin për organizimin e administratës komunale, do të caktojë një nëpunës shtetëror nga administrata, i cili do t’i kryejë punët e ndërmjetësimit gjatë realizimit të së drejtës të qasjes së lirë në informatat me karakter publik.

Neni 102

          Në afat prej 3 muaj nga dita e hyrjes në fuqi të këtij statuti, komuna do t’i fusë në evidencë format ekzistuese të vetvendosjes vendore të themeluara në pajtueshmëri me statutin e Komunës.

Neni 103

          Me hyrjen në fuqi të këtij statuti, pushon të vlejë Statuti i Komunës (“Gazeta zyrtare e Komunës”, nr.3/97).

Neni 104

      Ky Statut hyn në fuqi ditën e tetë nga dita e shpalljes në “Gazetën zyrtare të Komunës së Gostivarit “.