05.04.2019

Përgjegjësja e arsimit pranë Komunës së Gostivarit, znj. Aslian Snopçe, në një konferencë për shtyp të mbajtur sot, theksoi se marrja për së dyti e ingerencave në arsim kryetarit të komunës, Arebn Taravari, tregon se ministri i arsimit gjatë punës së tij këtë e ka të vetmin “rezultat” dhe se nuk do të ishte habi që këtë ta bëjë edhe për të tretën herë pas shtatë muajsh, por këtë rast nuk do ta ketë sepse deri atëherë shumëçka do të ndryshojë në Gostivar.

Fjalën e saj në press-koferencë, jua japim në mënyrë integrale.     

“Të nderuar përfaqësues të mediave,

Fillimisht ju falënderoj për prezencën tuaj në këtë pres konferencë.

Nëpërmjet kësaj konference për shtyp, dëshirojmë t’ju informojmë se pas marrjes së kompetencave ne sferën e emërimit dhe shkarkimit të drejtorëve nga ana e ministrit të arsimit për të dytën herë, këto ditë pasoi edhe vazhdimësia e këtij vendimi politik. Imagjinoni, në mes të fushatës zgjedhore, ministri ia lejon vetes luksin që të shkarkojë drejtorët e emëruar nga ana e kryetari të komunës dhe  sjell vendim për kthimin e drejtorëve të vjetër partiakë.

Pra, ky është edhe një skandal në vazhdën e skandaleve që e kanë burimin pikërisht te Ministria e arsimit dhe shkencës. Për këtë, gjykimin ia lëmë vetë qytetarëve, ndërsa dokumentacioni respektiv do të dërgohet deri te Komisioni anti-korrupsion për konstatimin e kësaj parregullsie. 

Në vend që ministri të merret me problemet e shumta që e kanë mbuluar sferën e arsimit; në vend që të merret me sigurimin e mësimit në gjuhën shqipe gjë që është e garantuar me ligj; në vend që te merret me përmirësimin e teksteve shkollore ku ende shqiptarët figurojnë si popull i zbritur nga malet, ku në tekstet shkollore të muzikës të gjitha këngët janë në gjuhën maqedonase; në vend që të merret me eliminimin e tenderëve në katër sy që bëhen në ministrinë e tij; në vend që të merret me rritjen e kualitetit të Universiteteve shqiptare; në vend që të merret me zbulimin e skandaleve me diplomat nëpër Universitete; në vend që të merret me rritjen e fondeve investuese në sferat hulumtuese ku Maqedonia e zë vendin e fundit ëe rajon … ai vazhdon të merret vetëm me Gostivarin.

Do të ishte mirë që ai të merret me Gostivarin, por, për shembull, për rregullimin e çatise së shkollës Goce Dellçev ku fëmijët duhet të mbajnë ombrella në klasë. Ky ministër prej kur e ka marrë postin, preokupim kryesor e ka vetëm Gostivarin, por, ama, në aspekt tjetër. Është bërë famoz me marrjen e kompetencave në komunën e vetme urbane në këtë shtet, që nuk është nën udhëheqjen e pushtetit aktual.  

Ministri i arsimit në raportin e punës së tij do të ketë informatë vetëm për dy vendime kapitale. Informata e pare: marrja e kompetencave të kryetarit të zgjedhur përmes votës së lirë të qytetarëve, dhe e dyta: marrja për të dytën here e kompetencave të kryetarit të komunës në sferën e arsimit.

Ai është shumë “kreativ” me këto dy vendime të tij. Ngado që shkon lavdërohet pikërisht me këto vendime të marrjes së kompetencave.

Tani do të pasojë edhe një periudhë letargjie nga ana e Ministrisë qe e drejton ai. Por. jemi të bindur se pas shtatë muajve përsëri do të ketë një investim kapital nga ana e ministrisë së tij. Ai investim kapital do të jetë marrja për herë të tretë e kompetencave kryetarit të Gostivarit.

Fundja, tjetër gjë nuk ai din të bëjë. Megjithatë, nuk do ta ketë atë mundësi, pasi që së shpejti situata do të ndryshojë, dhe në Gostivar do të vijnë kohë të reja.”

Shërbimi për informim