01.04.2020

Me qëllim të përfshirjes sa më të madhe të nxënësve në mësimdhënien online dhe në kushte izolimi, kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari dhe përgjegjësja e arsimit, Aslian Snopçe takuan sot drejtorët e shkollave fillore dhe të mesme komunale të Gostivarit.

Drejtorët informuan rreth aktiviteteve që po ndërmerren aktualisht si dhe problemeve me të cilat ballafaqohen mësimdhënësit dhe nxënësit gjatë realizimit të mësimit online. Duke pasur parasysh se për momentin nuk ekziston një platformë e unifikuar për realzimin e kësaj forme të mësimdhënies, si dhe shkaku asaj se qeveria nuk ka hartuar plan veprimi dhe po ngec furnizimi me pajisje adekuate teknologjike për nxënësit nga familje me status të rrezikuar social, procesi arsimor zhvillohet me problem të shumta, por megjithatë numri i nxënësve të përfshirë në mësimdhënien online, arrin në rreth dy të tretat.

Kryetari Taravari i përgëzoi drejtorët dhe kuadrin arsimor që me angazhimin e tyre maksimal, arrijnë nxënësit të paktën mos e humbin shprehinë e angazhimeve shkollore dhe ndjekjen e mësimit, si dhe uroi që të tejkalohet me sukses epidemia e koronavirusit në vendin tonë dhe kah mesi i muajit të ardhshëm të vijojë mësimi i rregullt.

Koha përderisa në shkolla nuk zhvillohet mësimi i rregullt, do të shfrytëzohet për realizimin e punimeve të planifikuara në objektet shkollore, ndërsa një javë para se të vazhdojë mësimi në to, do të bëhet edhe dezinfektimi i plotë i tyre.

Shërbimi për informim