19.11.2018

Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari priti sot ambasadoren e Japonisë në Shkup, Keiko Haneda me të cilën bashkëbiseduan për projekte të cilat mund t]I financojë qeveria japoneze në komunën e  Gostivarit.

“Me ambasadoren japoneze, patëm një bisedë të këndshme miqësore, me ç’rast e njoftova atë me sfidat dhe problemet me të cilat ballafaqohet komuna e Gostivarit,  projektet e realizuara deri më tani dhe ato që planifikojmë t’i realizojmë në periudhën në vijim. Diskutuam rreth projekteve të cilat ekziston mundësia që t’i financojë ambasada e Japonisë,e për të cilat do të duhet të konkurrojmë me projekte të arsyeshme”, deklaroi kryetari Taravari pas takimit.

Ndër projekte me prioritet me të cilat planifikon të konkurrojë Komuna  e Gostivarit, Taravari veçoi  rikonstruimin e  plotë të Shkollës fillore “Goce Dellçev” dhe vënien në funksion të Qendrës për Autizëm. Me këtë rast Taravari potencoi se sa i përket çatisë së shkollës, kjo është kompetencë e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, por nga atje nuk ndërmarrin asnjë hap konkret në këtë drejtim.

Edhe ambasadorja Keiko Haneda ,takimin e sotëm e cilësoi si shumë të frytshëm me që është biseduar për mundësinë e realizimit të projekteve të përbashkëta dhe kjo në kuadër të miqësisë që vendi i saj e ka me Maqedoninë dhe shumë komuna brenda këtij shteti.

“Jam shumë e kënaqur që sot jam këtu me ftesë të kryetarit të komunës së Gostivarit . Kjo është vizita ime e parë zyrtare në këtë qytet. Me kryetarin patëm një diskutim shumë frytdhënës ,mësova shumë për qytetin ,diskutuam për sfidat me ndikim dhe mundësinë e bashkëpunimit tonë. Japonia ka bashkëpunim shumë të mirë me shumë komuna në Maqedoni. Jam shumë e kënaqur që Gostivari është pjesë e kësaj miqësie”, theksoi ambasadorja e Japonisë në Shkup.

Kryetari Taravari dhe ambasadorja Haneda, të shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tyre vizituan objekte me rëndësi për trashëgiminë kulturore të qytetit.

Shërbimi për informim