30.04.2020

Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari, njoftoi sot se propozimi i Shtabit ndërkomunal të Gostivarit që krahas ushqimit, me modelin Merr dhe shko të shitet edhe kafe.

“Kam marrë informatën se propozimi ynë që krahas ushqimit, me modelin Merr dhe shko të shitet edhe kafe, është pranuar nga Shtabi qendror i emergjencës dhe se vendimi do të fillojë të zbatohet prej ditës së nesërme. Nënkuptohet se kjo dëtë mund të zbatohet vetëm jashtë orës policore”, deklaroi për mediat Taravari.

Ai po ashtu njoftoi se javës së ardhshme, në cilësinë e kryetarit të Shtabit ndërkomunal të emergjencës – Gostivar, do t’i propozojë Shtabit qendror edhe lehtësime tjera, siç është të lejohet që lokalet të shërbejnë klientë edhe brenda, por të sigurohet distancë fizike prej 2 metrash dhe në nj tavolinë të lejohet të ulen më së shumti dy persona.

Ndryshe, gjendja me pandeminë në Gostivar mund të vlerësohet si stabile.

“Për fat të keq sot kemi rastin e parë të vdekjes së banorit nga komuna e Gostivarit. Por aktualisht aktivë janë vetëm 3 persona banorë të komunës sonë. Nga tre komunat, Gostivar, Vrapçisht dhe  Mavrovë-Rostushë, deri më tani janë testuar gjithsej 202 qytetarë, prej të cilëve 17 kanë rezultuar pozitivë”, theksoi kryetari i komunës së Gostivarit.

Kryetari Taravari bëri apel që, ashtu siç bëhen lehtësime të masave restriktive, ashtu qytetarët ta rrisin vetëdijen dhe t’i respektojnë masat dhe rekomandimet.

Shërbimi për informim