26.12.2017

Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari, iu drejtua sot me një shkresë zyrtare komandantit të Stacionit policor të Gostivarit, Gazi Abdurrahmani që të tregohet me korrekt dhe më tolerant ndaj mërgimtarëve të cilët qëndrojnë në vendlindje gjatë festave të fundvitit.

“I nderuar komandant i Stacionit Policor të Gostivarit, z.Gazi Abdurrahmani, jam përpjekur disa herë t’ju kontaktoj por ka qenë e pamundur. Nuk dua të besoj kurrsesi që më jeni shmangur ose keni bërë obstruksione, pasi jam i prirë të besoj në dedikimin tuaj ndaj detyrës së dhënë. Nga pozita e Kryetarit të Komunës së Gostivarit dhe si qytetar i këtij qyteti, ju kërkoj që i gjithë efektivi juaj të jetë sa më korrekt në detyrë sidomos ndaj mërgimtarëve të cilët kanë ardhur në Gostivar”, thuhet në shkresë.

“Ata vijnë vetëm pak ditë në vendlindje dhe japin para aq shumë sa mbajnë qytetin dhe shtetin me të ardhurat e tyre! Nuk është as ligjore, as njerëzore dhe as e moralshme që t’i mbushin me gjoba vetëm sepse ata presupozohen të kenë para! E para, ata lodhen shumë për të fituar ato para dhe e dyta ata duhet të jenë të barabartë përpara ligjit!”, vazhdon më tej shkresa.

“Ju lutem t’i udhëzoni dhe t’i ndihmoni sa më shumë që të orientohen në këto ditë feste dhe mos ua ktheni festën në makth! Jam i bindur që do të dëgjoni dhe zbatoni kërkesën time, jo vetëm sepse Stacioni Policor është në kompetencat e Komunës së Gostivarit, por sidomos se ju jeni një person në detyrë që duhet ta dini se puna juaj është të mbroni qytetarët e jo t’i dënoni ata, e mbi të gjitha Mërgimtarët që është gjynah që t’i presim me fatura gjobash në vend të dashurisë dhe respektit!”, përfundon shkresa zyrtare e Arben Taravarit drejtuar komandantit të SP- Gostivar .

Shërbimi për informim