Taravari: Kush janë njerëzit të cilët u mbajnë mësim fëmijëve tanë?

11.09.2018

Kryetari i komunës së Gostivarit Arben Taravari, në konferencën e sotme për shtyp, i bëri publike problemet me të cilat ballafaqohen shkollat komunale për shkak të menaxhimit të pandërgjegjshëm dhe obstruksioneve nga ana e drejtorëve të dhunshëm

“Nga fillim i vitit të ri shkollor, pra vetëm për disa ditë, janë përjashtuar pa të drejtë nga puna 35 mësimdhënës. Në vend të tyre janë punësuar njerëz të cilët aspak nuk janë paraqitur në Agjencinë për punësim dhe nuk kanë sigurim shëndetësor dhe invalidor, e që është në kundërshtim me nenin 13 alineja 7 të Ligjit për marrëdhënie pune. I pyes drejtorët të cilët u emëruan dhunshëm nga Ministria e arsimit, se kush janë këta njerëz të cilët japin mësim dhe që qytetarët tanë nuk e dinë se kush ua edukon dhe arsimon fëmijët për momentin. A kanë licenca dhe a i plotësojnë kushtet për mësimdhënie”, theksoi Taravari

Kryetari i komunës së Gostivarit, nënvizoi se tashmë është e qartë se pse MASH-i ia mori kompetencat kryetarit të komunës në sferën e arsimit.

“Pra qëllim i tyre ka qenë instalimi i ushtarëve partiakë të cilët siç edhe e dëshmova me argumente se dokumentet zyrtare i dërgojnë në selinë e partisë. Andaj u bëjmë thirrje Inspektorati të arsimit, Inspektoratit të punës dhe Prokurorisë, të cilët edhe zyrtarisht me shkrim i kemi njoftuar paraprakisht, që të marrin masa dhe të shohim se kush janë këta njerëz që u mbajnë mësim nxënësve të Gostivarit”, potencoi kryetari Taravari në konferencën e sotme për shtyp.

Ai gjithashtu shpalosi edhe problemet rreth transportit të organizuar të nxënësve në disa shkolla fillore dhe të mesme.

“Disa drejtorë të dhunshëm që shpallën tender për transportin publik: Ismail Qemali, Bashkimi, teknikja dhe mjekësia, ende nuk e kanë kryer tenderimin, vetëm e kanë shpallur edhe atë pa mos pasur mjete në buxhetin e tyre dhe kjo flet qartë se tash nxënësit kanë mbetur pa transport. Ne si Komunë edhe pse nuk e kemi për obligim, do të intervenojmë me të vetmin qëllim që këta nxënës të mos mbeten pa transport”, shtoi Taravari.

Në fund, kryetari i komunës së Gostivarit, si shembull konkret për obstruksionet e ndryshme që i bëjnë drejtorët e dhunshëm, e ceku një paradoks ku drejtori i SHF “Ismail Qemali” refuzon që Komuna t’ia paguajë faturat e rrymës elektrike, pa mos ia paguar edhe të gjitha borxhet tjera të krijuara në shkollën që ai drejton.

Shërbimi për informim