21.11.2017

Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari priti sot në kabinetin e tij anëtarë të kryesisë së Klubit të Shahut “Gostivari”.

Taravari me këtë rast përgëzoi shahistët gostivaras Ahmet Sallamni dhe Feti Kamberi për suksesin e treguar në turnirin e mbajtur ditëve të fundit “Kampionati i Shkupit Open 2017” në Shkup, duke cekur se shahu megjithëse nuk kërkon aktivitet fizik, ai mund të llogaritet si një sport fisnik.

Shahistët njoftuan kryetarin e komunës se klubi i shahut në Gostivar ekziston që nga viti 1950, ndërsa për shkak të mospërkrahjes institucuionale ka pasur në disa raste pezullim të aktiviteteve. Po ashtu, ata njoftuan kryetarin Taravari se tash e 3 vjet radhazi në Gostivar organizohet Kampionat lokal shahu dhe se funksionon edhe shkolla e shahut në kuadër të klubit.

Ata kërkuan mbështetje nga kryetari për realizimin e aktiviteteve të parapara dhe për forcim të kapaciteteve të klubit, për çka morën përgjigje pozitive.

“Do të kem konsideratë ndaj kërkesave tuaja modeste dhe të arsyeshme, dhe do ta keni mbështetjen e merituar në drejtim të avancimit të shahut në komunën tonë. Shoh entuziazëm dhe sinqeritet nga ana juaj, andaj do ta keni mbështetjen korrekte institucionale të komunës së Gostivarit”, i siguroi kryetari Taravari shahistët.

Ai po ashtu njoftoi mysafirët se ngritja e cilësisë së jetës kulturore dhe sportive zë vend të posaçëm në programin e komunës për mandatin katërvjeçar.

Shërbimi për informim