25.12.2017

Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari dhe përfaqësuesi i Zyrës së ZHEL-it, Besim Dogani, realizuan një takim me udhëheqësit e organizatës MCGO (Qendra Maqedonase për Arsim Qytetar).

Në takim u diskutua në lidhje me projektin të cilin e realizon kjo organizatë, ndërsa financohet nga USAID-i.

Projekti ka të bëjë me integrimin ndëretnik të të të rinjve në arsim, ndërsa ndër qëllimet kryesore të tij janë përmirësimi i integrimit ndëretnik të të rinjve përmes mundësimit të interaksioneve pozitive mes të rinjve të përkatësive të ndryshme etnike në nivel shkollor dhe komunal, përmirësimi i përmbajtjeve të arsimit qytetar, shkathtësive dhe sjelljes, si dhe praktikës së vollontimit të të rinjve.

Përfaqësuesit e MCGO-së e njoftuan kryetarin se projekti përbëhet prej tre komponentëve, respektivisht forcimi i kapaciteteve të kohezionit ndëretnik në sistemin arsimor, forcimi i kulturës qytetare dhe sjellja e të rinjve në nivel shkollor dhe lokal, si dhe rinovimi i shkollave si stimul për shkollat dhe bashkësitë meritore.

Në këtë projekt do të përfshihen të gjitha shkollat fillore dhe të mesme të komunës së Gostivarit, ndërsa katër shkolla tashmë janë përzgjedhur si pilot-komuna për implementim të të njëjtit, edhe atë: SHF “Bashkmi”, SHF Goce Dellçev”, SHMK “Gostivar” dhe SHF “Çajla”.

Afati i aplikimit është deri më 27 dhjetor të këtij viti, ndërsa kryetari Taravari i siguroi përfaqësuesit e MCGO-së se do të inkurajojë shkollat e komunës së Gostivarit që të aplikojnë për këtë projekt.

Shërbimi për informim