Taravari u ndau mirënjohje matematikanëve të rinj dhe profesorëve të tyre

,

06.03.2018

Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari priti në kabinetin e tij nxënësit e gjimnazit të Gostivarit, fitues të medaljeve në “Garat pa kufij” nga lënda e matematikës dhe profesorët e tyre.

“Kam nderin që sot të kem mysafirë nxënësit e gjimnazit të Gostivarit dhe profesorët e tyre, të cilët fituan 7 medalje ari, një medalje argjendi dhe një medalje bronzi në një garë prestigjioze rajonale nga lënda e matematikës. Ne si administratë komunale dhe gjimnazi i Gostivarit, ndjehemi shumë krenar. Nxënësit e talentuar e gëzojnë mbështetjen e Komunës së Gostivarit, sepse konsiderojmë se ambasadorët më të mirë të një populli dhe një vendi janë nxënësit е suksesshëm. Me këto rezultate të arritura të nxënësve tanë, ne i dëshmojmë regjionit dhe më gjerë, se me punë dhe vullnet mund të arrihen rezultate kulmore dhe nga radhët e këtyre nxënësve, nesër të dalin edhe shkencëtarë të mirëfilltë”, theksoi kryetari Taravari.

Në emër të nxënësve dhe profesorëve, për mikpritjen dhe ndarjen e mirënjohjeve, kryetarit iu falënderuar drejtori i SHMK “Gostivar, Dritan Imeri, duke e njoftuar atë se në garat regjionale në Bullgari, të titulluara Gara pa Kufij morën pjesë 16 mijë nxënës.

“Shpresoj se nxënësit dhe profesorët e shkollës tonë do të vazhdojnë edhe më tutje me punë, me siguri me elan akoma më të madh pas këtyre sukseseve dhe se në të ardhmen do të sjellin shpërblime akoma më prestigjioze për qytetin tonë”, nënvizoi drejtori Dritan Imeri.

Vlen të thekesohet se medalje ari në Garat pa Kufij, fituna Zehra Ebibi, Fjolla Fetaji, Hana Hasanicaj, Angela Trifunoska, Simona Janakieska, Kristina Jovanoska dhe Mustafa Esti, medalje argjenti fitoi Esra Matjan, ndërsa Egzona Jonuzi fitoi medalje bronzi.
Mentorë të nxënësve ishin profesorët Muhamed Musliu, Zejnel Efendiler, Mile Apostolloski, Irena Nofitoska. Ajbean Selimi dhe Muzafer Zulbeari.

Shërbimi për informim