25.03.2019

Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari dhe përfaqësues të Shoqatës ekologjike “GV Eko” nga Gostivari, vizituan fabrikën Vardar Dollomit, me qëllim që të njoftohen nga afër me standardet të cilat implementon kjo fabrikë në drejtim të mbrojtjes nga ndotja e ajrit.

“Me përfaqësuesit e fabrikës Vardar-Dollomit kemi pasur kontakte të rregullta dhe është ky ndoshta takimi i katërt apo pestë. Është normale që kryetari i komunës, për problemet dhe shqetësimet e qytetarëve të shkojë në vend të ngjarjes. Dihet se Gostivari si shumë komuna tjera në nivel të shtetit ka problem me aerondotjen. Nga stacionet matëse kuptojmë se kemi koncentrim të madh të grimcave PM 10 dhe kjo na imponon që të koordinohemi dhe bashkëpunojmë me prodhuesit e mëdhenj që të bëjmë gjithçka që është e mundur për të zvogëluar ndotjen e ajrit deri në një nivel të pranueshëm”, theksoi kryetari Taravari.

Drejtori ekzekutiv i fabrikës Vardar-Dollomit, Remzi Abdullai tha se fabrika posedon licencën e integruar ekologjike A, ka të vendosur filtra përkatës dhe se i plotëson të gjitha standardet e nevojshme. Megjithatë, sipas tij, deri te zgjidhja definitive e problemit duhet të angazhohet shteti , sidomos në drejtim të sjelljes së gazifikimit.

Ndërkaq kryetari Shoqatës “GV Eko”, theksoi se përveç plotësimit të të gjitha standardeve, fabrikat të cilat janë ndotës potencial të ajrit ambiental duhet të jenë të larguara të paktën 15 kilometra nga qyteti.

Shërbimi për informim