20.11.2019

Në mjediset e Komunës së Gostivarit, sot u realizua një takim i përbashkët i përfaqësuesve të Stacionit policor të Gostivarit, Shoqatës IGI dhe përfaqësuesve të administratës komunale, ku u shqyrtua situata aktuale me qentë endacakë dhe u sollën vendime për marrjen e masave të menjëhershme dhe rigoroze për minimizimin e problemit në fjalë.

Të hënën, në funksion do të vihet edhe stacionari i dytë për qentë endacakë, falë projektit në kuadër të Programit  “Më ofro strehë për shpëtim”, financuar nga Programi rajonal në Ballkanin Perëndimor ReLOaD. Me hapjen e kësaj qendre, do të rritet kapaciteti i strehimit të qenve endacakë dhe përmes kësaj duke forcuar masat parandaluese, ky problem shumëvjeçar të vihet nën kontroll dhe reduktohet deri në maksimum.

Nga policia u zotuan se do të plotësojnë kërkesën e Komunës së Gostivarit që të bëjnë kontrolle rigoroze të automjeteve të dyshimta të cilat mund të bartin qen endacakë prej komunave tjera, si dhe se do të ngrenë procedura kundërvajtëse ndaj abuzuesve. 

Apel i përbashkët i Policisë, Komunës dhe Shoqatës IGI është që edhe qytetarët të japin kontributin e vet në këtë drejtim dhe rastet t’i denoncojnë në Polici, në NP Komunalec dhe në Shoqatën IGI, duke potencuar se i vetmi automjet special i autorizuar për bartjen e qenve në territorin e komunës së Gostivarit i ka targat GV – 7743 – AD.

Po ashtu, u bëhet apel qytetarëve që sipas mundësive të adoptojnë qen të përkujdesur në stacionar, duke u ofruar atyre shtëpi të vërtetë dhe duke bërë kështu një vepër të mirë.

Shërbimi për informim