Të rinjtë e Gostivarit do ta zbukurojnë parkun dhe shëtitoren te lumi Vardar

,

09.05.2019

Në kuadër të projektit “Integrimi i të rinjve në arsim” nxënës të dy shkollave të mesme dhe të një shkolle fillore të qytetit të Gostivarit, do të realizojnë një sërë aktivitetesh për rregullim plotësues dhe mirëmbajtje të parkut të qytetit dhe shëtitores te lumi Vardar.

Aktivitetet filluan sot, me ç’rast organizatorët u ndanë fanella dhe pajisje pune nxënësve të shkollës së mesme ekonomike dhe asaj teknike si dhe nxënësve të SHF “Bashkimi”. Në kuadër të projektit, nxënësit do të lyejnë ulëset te shëtitorja, do të bëhet shënimi i shtegut të biçikletave dhe shtegut të këmbësorëve, do të vendosen korniza për parkim të biçikletave përgjatë shëtitores, si dhe aktivitete tjera të ngjashme në drejtim të rregullimit dhe mirëmbajtjes së kësaj zone e cila mjaft frekuentohet nga qytetarët për të kaluar kohën e lirë, e sidomos nga gjeneratat më të reja.

Fillimin e aktiviteteve e përcolli dhe u kyç edhe vetë kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari i cili duke përshëndetur aktivitetin në fjalë shfrytëzoi nga rasti që të pranishmëve t’ua urojë 9 Majin – Ditën e Evropës.

“Fillimi i aktiviteteve në kuadër të këtij projekti koincidon me Ditën e Evropës, ditë kjo e një rëndësie të veçantë, e sidomos për ne të cilët synojmë që të bëhemi pjesë e familjes së madhe të BE-së. Uroj që sa më shpejtë ta festojmë këtë ditë si anëtarë të barabartë të familjes evropiane”, u shpreh Taravari.

Projekti “Integrimi i të rinjve në arsim” financohet nga USAID, ndërsa mbështetet edhe nga Komuna e Gostivarit dhe NP “Parkingje dhe gjelbërime”.

Shërbimi për informim